Publicisti Mehmetaj me qëndrime të papranueshme: Me 1000 xhami nuk ka liberalizim vizash apo BE për Kosovën - NACIONALE

Publicisti Mehmetaj me qëndrime të papranueshme: Me 1000 xhami nuk ka liberalizim vizash apo BE për Kosovën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gani Mehmetaj, publicist, ka shkruar një status në lidhje me çështjen e mos liberalizimit të vizave për Kosovën.

z.Mehmetaj duket se ka gjetur fajtorin për mos liberalizimin e vizave. Dhe, të dashur lexues, nuk është Franca, e as Holanda, por as ndonjë vend tjetër hezitues, arsyeja pse Kosova ka mungesë të liberalizimit të vizave.

Fajtori sipas Mehmetaj janë xhamitë e ndërtuara në Kosovë.

Shtet mysliman në Bashkimin Evropianë nuk ka, kurrë nuk do të ketë.”, ka shkruar z.Mehmetaj, thuajse ka shtet të krishter në BE.

Sipas tij, të lejosh ndërtimin e xhamive e të shpresosh në liberalizim të vizave “duhet të jesh i lajthitur”.

Të lejosh ndërtimin e 800 xhamive për 20 vjet, ndërsa nuk e ke ndërtuar asnjë sallë koncertale a teatër, t’i nënshtrohesh kreu të Bashkësisë Islamike që është bërë shtet mbi shtet, të mos i frenosh hoxhallarët agresivë që kërcënojnë e fyejnë kombin e shtetin, përdhosin heronjtë kombëtar dhe, të shpresosh liberalizim të vizave, duhet të jesh i lajthitur.”, shkroi tutje z.Mehmetaj.

Në fakt, nuk dihet se si ka ardhur në këtë përfundim z.Mehmetaj, ndonëse në BE qytetarët e Shqipërisë, që janë shumicë myslimane, ata të Bosnjës e Maqedonisë së Veriut, që kanë një numër të konsiderueshëm myslimanësh, udhëtojnë pa viza.

Për më shumë, deri më tani, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e BE-së për rrëzimin e ndonjë xhamie ose mosndërtimin e xhamive të reja si kusht për liberalizim të vizave ose anëtarësim në BE.

Njëkohësisht, z.Mehmetaj ka dhënë një numër të gabuar të xhamive të ndërtuara gjatë 20 viteve të fundit. Sepse në Kosovë në total ka pak mbi 800 xhami, përfshirë qindra xhamitë e ndërtuara në kohën e Perandorisë Osmane dhe atë të Jugosllavisë.

Z.Mehmetaj ka përdorur edhe një term jashtëzakonisht problematik, duke theksuar se elita politika është kapur nga “mafia islamike”.

Liberalizim të vizave nuk do të ketë. Ka rrezik të mbetemi në zonën e hirtë të kaosit e errësirës, nëse nuk ndryshojmë mendësi dhe nëse nuk i shkarkojmë elitat politike e shtetërore të kapura nga mafia islamike.”, shtoi tutje ai.

Për më shumë, z.Mehmetaj arrin edhe në një përfundim tjetër problematik, teksa thekson se krishterimi është “tabanë i kontinentit tonë”, pra Evropës.

Evropa e kultivuar nuk pranon shtete islamike, sepse krishterimi tabanë i kontinentit tonë është qytetërim, kulturë, është zhvillim, ekonomi e fortë.”, vlerësoi tutje z.Mehmetaj.

Në fakt, iluminizmi, që është para së gjithash kritikë ndaj krishterimit, është etosi i Evropës liberale. Pra arsyeja shekullare, jo religjioni është tabani i Evropës. Kapërcimi i religjionit dhe qendërzimi i njeriut si vlerë vetë-referuese janë shtyllat e Evropës iluministe, e jo ndarja mbi përkatësitë religjioze.

Ndryshe, Gani Mehmetaj është ish-gazetar dhe ish-udhëheqës i disa gazetave në Kosovë. Sipas profilit të tij në Facebook, z.Mehmetaj e vlerëson veten si "publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast."

    * Gjuha e përdorur nga z.Mehmetaj nuk korrespondon me bindjet liberale të redaksisë së gazetës Nacionale.

    Lajme të ngjashme