Çka është METAVERSE - teknologjia e së ardhmes - NACIONALE

Çka është METAVERSE - teknologjia e së ardhmes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pse është METAVERSE gjithkund?

Zhvillimi i hovshëm teknologjik këto ditë ka arritur të krijojë një platformë të re të qujatur ‘Metaverse’ e cila me aq sa kemi parë deri tani, do të jetë e ardhmja e internetit për shkak të gjithëpërfshirjes që e ka, duke filluar nga lojërat, bizneset, puna, NFT , transaksionet, e shërbime të tjera të ndryshme.

Teknikisht, METAVERSE është gjithçka që ne ndërtojmë brenda saj, nga kombinimi i Web3.0, VR/AR e Blockchain.

Fjala METAVERSE është kombinimi i fjalëve: META që do të thotë PËRTEJ, dhe VERSE që e ka kuptimin e UNIVERSIT. Pra në esencë, metaverse po ndërton një botë dixhitale përtej asaj që ne jemi tani. Nga kjo kuptojmë që metaverse është kur bota fizike takohet me atë dixhitale dhe jeta virtuale bëhet reale.

Metaverse nuk është një vend i vetëm ku takohen dhe mblidhen njerëzit, por çdo hapësirë apo botë virtuale ku realizohen qëllime të caktuara mund ta quajmë metaverse. P.sh. kemi metaverse apo botë virtuale ku njerëzit bashkohen për të luajtur lojëra të ndryshme, për të punuar, apo një hapësirë ku njerëzit bëjnë tregti, etj.

Një mundësi të mirë për zhvillim e kanë parë edhe kompanitë e mëdha si Apple, ku në këtë rast mund të shet pajijset smart (AR) përmes të cilave kyçemi në botën virtuale. Ray Ban e sheh si një mundësi të mirë për të krijuar syze smart në të cilat e shohim botën virtuale pa pasur nevojë për telefon, tablet apo ndonjë pajisje tjetër. Adidas “prodhon” rroba për avatarët (karakteret), të cilat pastaj edhe mund t’i blejmë në jetën reale.

Ndërsa Samsung, Google, HTC, e kompani të tjera, pothuajse kanë prekur majën përmes krijimit të pajisjve VR (Virtual Reality - Realitet virtual). Kjo pajisje vendoset në kokë, dhe krejt çka shohim ne, është ekrani që na shfaqet para syve tanë dhe krejt çka dëgjojmë, janë zërat që krijohen në botën virtuale. Pra tani jemi zhytur në një botë krejtësisht tjetër, ku mund të lëvizim lirshëm dhe shumë shpejt, ndërkohë që vendndodhja jonë fizke nuk ka ndryshuar.

Metaverse ka kohë që ka filluar të zhvillohet dhe shumë kompani gjigante tashmë iu kanë bashkangjitur idesë për të krijuar një botë virtuale ku mund të kryejmë aktivitete të ndryshme në to. Por ajo çka i bëri njerëzit më kureshtarë për të është ndërrimi i emrit të kompanisë së Facebook në Meta. Sigurisht që diçka e tillë do t’u linte përshtypje afro 3 miliardë përdoruesve të Facebook. Momentalisht asgjë s’ka ndryshuar. Facebook vazhdon të funksionojë njësoj, poashtu edhe rrjetet tjera sociale që janë nën posedim të Mark Zuckerberg-ut, si Whatsapp e Instagram.

Ideja është që filimisht njerëzit ta kuptojnë qëllimin e Metaverse - bashkimi i njerëzve në një botë virtuale të përbashkët. Kështu e kanë më të lehtë ta pranojnë dhe t’i bashkangjiten asaj. Pikërisht këtë strategji e ka përdorur themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg. Fillimisht ka ndërruar emrin e kompanisë në Meta, duke i prezantuar pastaj projektet me të cilat po mundohet të bëjë një ndryshim rrënjësor me teknologjinë që kemi parë deri më sot.

Një numër i madh i kompanive të cilat janë përfshirë në METAVERSE janë lojëra kompjuterike, shumë të avancuara, të cilat i bashkojnë lojtarët e tyre në një vend të vetëm ku ata krijojnë avatarin personal (karakteri me të cilin identifikohet një lojtar) përmes të cilit i kryen të gjitha veprimtaritë tjera në lojë.

Përpos lojërave, disa kompani tjera e kanë parë si një mundësi mjaft të mirë për ta krijuar një metaverse, pra një botë virtuale ku ata mund t’i ushtrojnë veprimtaritë e tyre. Për shembull të themi, një vend pune të përbashkët. Dy vite të plota u bënë që kur filloi pandemia në vendin tonë, shumë hapësira të punës u mbyllën duke u kthyer njerëzit të punojnë nga shtëpitë e tyre. Mirëpo pas kalimit të kësaj situate, njerzëve iu mundësua rikthimi dhe ribashkimi me kolegët tyre. E çka nëse disa kolegë tjerë janë shumë larg vendit të punës, po edhe mundësia që pandemia të ygjasë edhe më shumë? Atëherë për të krijuar një ambient të punës, kompanitë e mëdha si Meta e të tjera, pritet të krijojnë një botë virtuale ku është mundësia të punojnë së bashku me kolegët e punës në zyre, por kësaj radhe nga shtëpia. E gjithë ngjarja realizohet në një botë metaversi, ku ne jemi të futur në të përmes pajisjve smart (RV) apo syzeve smart, dhe krejt cka shohim ne është ambienti i punës bashkë me kolegët që paraqiten përmes avatarëve të tyre. Këtu ekziston mundësia e lëvizjes së lirë, kalimi nga një vend në tjetrin për intervale të shkurtëra kohore. Të gjitha këto përderisa ne jemi ulur në karrigen apo divanin në dhomën tonë të ditës.

Dikush mund të thotë: pse e gjithë kjo kur ne thjesht mund të shkojmë të punojmë në zyre?

Atëherë i përgjigjemi: Pse mbajmë takime online përmes platformave Zoom e të tjera, në vend se të shkojmë në zyre? E thjeshtë, takimi dhe mbledhja në një platformë online është më e lehtë se sa të udhëtojmë deri te vendi i punes. Kështu që, të punosh nga shtëpia, por ta kesh ndjesinë sikur je duke punuar së bashku me kolegët e tu në zyrën ku keni punuar, është qëllimi kryesor i krijimit të një metaversi për punë.

Lajme të ngjashme