Brenda lagjes ku fëmijët kanë vetëm rrugën si opsion jete - NACIONALE

Brenda lagjes ku fëmijët kanë vetëm rrugën si opsion jete

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, jo të gjithë nga ta e festojnë në ambiente ku janë përgatitur skena për të recituar, apo hapësira për t’u argëtuar dhe luajtuar me njëri tjetrin. Një pjesë mjaft e madhe e fëmijëve në lagjet e Fushë Kosovës, ku banojnë komunitetet minoritare, këtë ditë të tyre po e kalonin zakonshëm, në rrugët e lagjes dhe zbathur.

“Nuk e di që festohet në ditën e sotme, as në shkollë nuk më kanë thanë që bajnë najsen.”

Ishte kjo përgjigjja e 10-vjeçares Hatixhe Hasani, e cila po luante fshehtas me dy vëllezerit e saj në oborrin e vogël të shtëpise së tyre njëkatëshe, me kushte hiç të mira.

Por, kushtet jo të mira nuk ndikonin në disponimin e tyre. Në lagje u dëgjohej buzëqeshja gjatë lojës.

Lojën e tyre nga pragu i derës kryesore të shtëpisë, po e përcillte nëna e tyre, Hasime Hasani, që nuk ishte mirë më shëndet e ishte ulur në tokë.

Kjo nënë, e cila ka 3 fëmijë, tregon për shkollimin i cili, edhe atë me vështirësi, po i mundësohet vetëm njërit nga fëmijet e saj.

Tre fëmi i kam, në shkollë shkon veç çika 10 vjet që i ka. E dy djemtë e tjerë, njani 6 e tjetri 7 vjeç, nuk i kam çu hiç, se kushtet jo të mira, nuk po ka kush me u marrë me ta, edhe qeshtu e kemi lanë”, i rrëfen Hasimja Nacionales.

Hiç më larg se 20 metra nga kjo shtëpi, dëgjohej një zhurmë e madhe e disa fëmijëve të tjerë. Tre vëllezër e tri motra, po ndihmonin nënën e tyre në punët e shtëpisë në oborrin e tyre. Vajzat po ia mbanin ujin, kurse djemtë fshesën.

Kjo nënë 24-vjeçare, e cila dëshiroi të mbetej anonim, tregoi për gazetën se asnjë nga fëmijët nuk i shkojnë në shkollë.

“Nuk shkojnë as djemtë, as çikat. Janë të halitshëm e problema, e nuk du me i qitë prej shpisë, ma mirë qetu me i majtë”, tha ajo.

Në çdo cep të këtyre lagjeve ku banojnë komunitetet minoritare, situata ishte e ngjashme. Fëmijët ose luanin me njëri-tjetrin, ose ndihmonin prindërit e tyre në punët e shtëpisë.

A janë larg përfshirjes në jetën sociale këta fëmijë të komuniteteve?

Drejtor i Organizatës “Ballkan Sunflowers”, Muhamet Arifi, ka treguar se fëmijët e komuniteteve janë larg përfshirjes në jetën sociale.

Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se problemi më i madh është integrimi në shkollë të mesme dhe fakultet.

"Jemi larg përfshimit të jetës sociale sikur qytetarët e tjerë të Kosovës, edhe pas 22 viteve përfundim të luftës. Edukimi fillor është më i mirë me e krahasu me 15 vitet e kaluara, braktisja nga shkolla është më e vogël. Problemi më i madh është integrimi në shkollë të mesme dhe fakultet. Arsyet që ka ra interesimi është që studentëve që e kanë kry shkollimin nuk po u mundësohet asnjë vend i punës. Dmth, arsyeja e shkollimit të ulët është mospunësimi i tyre”, thotë Arifi për gazetën.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë vazhdon të cenohet

Të dhënat tregojnë për gjendje të rëndë të mirëqenies së fëmijëve, thotë Donjeta Kelmendi nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

“22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri, përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. 72% e fëmijëve raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë”, tha Kelmendi.

Edhe pse në Kosovë legjislacioni garanton mbrojtjen e fëmijëve, të dhënat tregojnë që në Kosovë vazhdon të ketë shkelje të të drejtave të fëmijëve.

Ligji për Mbrojtje të Fëmijës edhe pse ka hyrë në fuqi nga viti 2020, vazhdon të mos gjejë zbatim nga institucionet dhe familjet. Mungesa e zbatimit të legjislacionit, mungesa e vullnetit politik, mungesa e investimeve dhe kapaciteteve, mbesin ndër shkaqet kryesore për gjendjen e të drejtave të fëmijëve”, shton Kelmendi nga KOMF.

Përkundër kësaj atmosfere të zakonshme që mbizotronte në lagjet e komuniteteve, në kryeqytet e në shumicën e qyteteve të Kosovës, kjo festë u shënua me aktivitete të ndryshme.

Dita e Fëmijëve u vendos më datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve, në Gjenevë, më 1925. Dy vjet më pas, Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.

Lajme të ngjashme