Anketa e Fuqisë Punëtore: Gratë dukshëm më të të nënpërfaqësuara, joaktiviteti mbetet i lartë
Pavarësisht një përmirësimi të lehtë në shifrat e punësimit, shkalla e lartë e joaktivitetit mbetet një nga problemet më të mëdha të Kosovës, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2023 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas Anketës, gratë vazhdojnë të jenë dukshëm të nënpërfaqësuara në fuqinë punëtore krahasuar me burrat.
Popullsia në moshë pune e Kosovës është afërsisht dy të tretat e popullsisë së përgjithshme sipas ASK-së, duke numëruar 1 milionë 171 mijë e 763 individë. Kjo shënon një rënie prej 23 mijë e 663 krahasuar me një vit më parë.
477 mijë e 350 është numri i personave aktivë në fuqinë punëtore, një rënie prej 15 mijë e 456 krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, persona joaktivë, ato që nuk kërkojnë punësim, janë 694 mijë e 413, duke rënë me 39 mijë e 119 nga viti i kaluar.
Sipas shifrave të ASK-së, përmirësim është shënuar tek punësimi, me 425 mijë e 499 persona të punësuar, një rritje prej 21 e 686 krahasuar me një vit më parë (2022).
Shifrat e papunësisë – sipas ASK-së – shënuan gjithashtu një zhvendosje pozitive, duke u ulur me 6 mijë 230 në një total prej 51,851.
Anketa thekson pabarazitë e mëdha gjinore në sektorin e punësimit. Përqindja e burrave të punësuar u rrit në 57.8 për qind, një rritje prej 2.3 për qind, ndërsa shkalla e punësimit për gratë ishte 24.2 për qind, duke u rritur me 2.2 për qind.
Shkalla e pasivitetit vazhdon të përbëjë një sfidë të madhe, duke mbetur e lartë në 59.3 për qind pavarësisht një rënie prej 2.1 pikë përqindjeje nga viti i kaluar.
Joaktiviteti është veçanërisht i theksuar tek gratë, me 75.8 për qind të grave të klasifikuara si joaktive krahasuar me 42.2 për qind të meshkujve.
Sektorët prijës për punësim në Kosovë ishin tregtia (20.0 për qind), ndërtimtaria (11.8 për qind) dhe arsimi (9.9 për qind).
Burrat kryesisht gjetën punësim në tregti, ndërtim, prodhim, administratë publike dhe mbrojtje, dhe aktivitete akomodimi.
Gratë ishin kryesisht të punësuara në sektorët e tregtisë, arsimit dhe shëndetësisë, me 54.3 për qind.