12 Qershori i "Çlirimit" të frikës së popullit shqiptar - NACIONALE

12 Qershori i "Çlirimit" të frikës së popullit shqiptar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot 23 vjet më parë, për Kosovën nisi një etapë e re në histori. 12 qershori është ditë Historike sepse pas disa vitesh torturë, djegie, shkatërrim, dhunim e vrasje nga regjimi serb, erdhi liria.

Kjo ditë i dha fund viteve të tmerrshme '90, të cilat ishin përshkuar me shumë pakënaqësi sociale e politike në Kosovë. Kjo çoi në një luftë të përgjakshme 1998/99 ku humbën jetën mbi 10 mijë qytetarë të vendit, shumica prej të cilëve i përkisnin etnisë shqiptare.

Me 12 qershor, sulmet e ajrore të NATO-, pushuan në mënyrë që të futej këmbësoria e NATO-s, në territorin e Kosovës e me këtë të niste edhe largimi i forcave serbe. Kosova vazhdon të jetë nën mbrojtjen e trupave të NATO-s në misionin e KFOR-it edhe sot e kësaj dite.

Përderisa, hyrja e ushtarëve të NATO-s, u hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës që ikën si refugjatë në dhjetëra vende të botës.

Pas kësaj, rreth 750 mijë shqiptarë të cilët ishin dëbuar, u kthyen në Kosovë, ndërsa 100 mijë serbë u larguan nga Kosova.

Dita e Çlirimit sot është shënuar me aktivitete të ndryshme

E gjithë historia e cila u shkrua në paragrafet më lartë, është në memoriet e çdosecilit qytetar që ishte në moshë sa për të mbajtur mend.

Krerët e shtetit, presidentja dhe kryeministri ditën e nisën në Prekazin legjendarë, tek kompleksi “Adem Jashari”. Familje kjo e cila humbi njëzet e dy anëtarë të familjes në fillim-marsin e vitit 1998.

Nga këtu presidentja e vendit dhe kryeministri lartësuan sakrificën e Jasharajve.

Jemi këtu në Prekaz, pikërisht në ditën kur të gjithë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ranë për liri por mbi të gjitha këtu në Prekaz ku u vulos liria jonë, me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari”, tha presidentja Osmani.

Ndërsa kryeminstri Kurti tha se ky fshat është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare.

“Lufta çlirimtare nuk mund të mendohet nga askush pa Jasharajt. Tre breza luftuan tri ditë në atë që sot njihet si Epopeja e UCK-së. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj sot u themi të gjithë qytetarëve urime 12 qershori, dita e çlirimit dhe paqes, e cila i ka rrënjët këtu te sakrifica dhe flijimi i familjes Jashari”, u shpreh Kurti.

Pas kësaj vizite, krerët vazhduan tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, dhe veprimtarit, Adem Demaçi. Ndërsa më vonë u mbajt aktiviteti “Eksodi në liri” në Bllacë.

Edhe krerët e opozitës të cilët ishin të ftuar në këtë manifestim e që nuk erdhën, nëpër rrjetet sociale të tyre kanë kujtuar këtë ditë historike.

Lajme të ngjashme