1 orë më pak gjumë, prej nesër: Parada e Krenarisë nën fjalët krenare të politikanëve të Kosovës - NACIONALE

1 orë më pak gjumë, prej nesër: Parada e Krenarisë nën fjalët krenare të politikanëve të Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot në Prishtinë, në një prej kryeqyteteve më jokrenare të Ballkanit, është mbajtur Parada e Krenarisë! Hirtësia e qytetit u dëbua për pak kohë, për t’i lëshuar vend ngjyrave të shumta të pjesëmarrësve në Paradë. Çka ndodhi e çka s’ndodhi?

“A do të flemë një orë më shumë a më pak?”, është pyetja që bëjnë me tallje shumë qytetarë të Kosovës në Facebook, pasi e lexojnë ndonjë lajm që nuk u lë shumë përshtypje.

Por, të gjithë qytetarët homofobë do të flenë një orë më pak pas Paradës së sotme, pasi që pjesëmarrja ishte masive dhe në të kishte edhe shumë figura të rëndësishme publike. Atyre do t’u duhet të mendojnë para se të flenë, se si ta emancipojnë veten në mënyrë që të tregohen më pranues ndaj të drejtave të pakicave seksuale, por edhe ndaj personave të tjerë relevantë.

Në Paradën e Krenarisë ne pamë kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, e të cilit i nxorëm një zotim. Deri në muajin prill ose maj të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i Strehimores për personat e komunitetit LGBTIQ+.

Ja çka më tha Përparimi, që kësaj here u tregua shumë përparimtar:

“Tash e kemi në përpunim për dizajn, ndërsa vitin e ardhshëm, prej prillit ose majit, planifikojmë për me ndërtu”, u shpreh ai.

Albini përsëri në ‘fshat’

Provova gjatë të shihja kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por nuk ia dola. Ai përsëri vendosi të mos merrte pjesë në Paradë, përkundër që ishte kthyer mbrëmë në Prishtinë nga Britania e Madhe.

Ai është kritikuar gjatë e shumë për mospjesëmarrjen e tij, por nuk erdhi që nuk erdhi, përsëri.

E pashë në Paradë, megjithatë, zonjën Albulena Haxhiu që mban funksionin e ministres së Drejtësisë, e pyeta edhe për mungesën e shefit të saj në Paradë.

Ajo më tha se në Paradë ishte “gjysma e kabinetit qeveritar” dhe se kryeministri kishte “takim tjetër” (d.m.th. më të rëndësishëm, sipas saj). Në fakt, kryeministri i Kosovës kishte takim me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, por i cili nuk mungoi në Paradë.

Ministrja Albulenë foli edhe për Kodin Civil që i hapte derë bashkëjetesave të personave të seksit të njëjtë, e për të cilin u zotua se do të kalonte duke e dënuar gjuhën homofobe të deputetëve në seancën e kaluar të mbajtur për këtë çështje në muajin mars.

Kryeministri u kritikua edhe nga një prej organizatorëve të Paradës, Lendi Mustafa. Ja çka më tha ai:

Ndërkohë, në Paradë e pashë edhe ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, znj. Vlora Çitaku. Ajo ishte e vetmja nga Partia Demokratike e Kosovës që mori pjesë. Në të kaluarën, në parada nuk mungonte Hashim Thaçi, pavarësisht pozicionit ekzekutiv që mbante, por duket se ai nuk ka qenë aq bindës ndaj bashkëpartiakëve të tij.

E pyeta Çitakun pse nuk kishte të tjerë deputetë të PDK-së në Paradë, dhe përgjigjja e saj ishte goooxha e ‘çaraveshtë’:

Gjatë paradës nuk mungoi edhe një incidentth (d.m.th. incident i vockël), pasi ‘dikush’ gjuajti me një mjet piroteknik (petarde) duke alarmuar forcat e rendit. Sidoqoftë, masa ishte krejtësisht e qetë dhe e patrazuar.

Lajme të ngjashme