Zyrtari i lartë i ShBA-së: Një kantier anijesh i Kinës ka më shumë kapacitet se të gjitha tonat bashkë - NACIONALE

Zyrtari i lartë i ShBA-së: Një kantier anijesh i Kinës ka më shumë kapacitet se të gjitha tonat bashkë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Forcave Detare i Shteteve të Bashkuara, Carlos Del Toro, ka thënë se forcat detare kineze kanë përparësi të konsiderueshme në krahasim me rivalët amerikanë, përfshirë flotën më të madhe dhe kapacitetin më të madh për prodhimin e anijeve.

Duke folur në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington, Del Toro tha se Kina “vazhdimisht përpiqet që t’i shkelë sovranitetin detar dhe mirëqenien ekonomike të vendeve të tjera, përfshirë aleatët tanë në Detin e Kinës Jugor dhe në vende të tjera”, raporton televizioni CNN.

“Ata kanë një flotë më të madhe tani, prandaj po e dislokojnë atë flotë globalisht”- tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar se Uashingtoni duhet ta modernizojë flotën e vet si kundërpërgjigje ndaj Kinës.

“Ne kemi nevojë për forca detare më të mëdha, kemi nevojë për më shumë anije në të ardhmen, më shumë anije moderne në të ardhmen, sidomos të tilla që mund ta përballojnë këtë kërcënim”- tha më tutje Del Toro.

Sipas tij, forcat detare të Kinës mund të kenë deri në 400 anije në vitet e ardhshme, nga 340 sa kanë tani. Ndërkohë forcat detare të Shteteve të Bashkuara kanë më pak se 300 anije.

Sipas Planit të Navigimit 2022, të publikuar verën e kaluar, synimi i Pentagonit është që të ketë 350 anije me ekuipazh deri më 2045 – prapë më pak se parashikimi për anijet e forcave kineze.

Para se ky synim të arrihet, megjithatë, flota amerikane pritet të tkurret, sepse disa anije të vjetra do të largohen nga përdorimi, sipas një raporti të muajit nëntor të Zyrës së Kongresit për Buxhet.

Del Toro tha të martën se kantieret amerikane për prodhimin e anijeve nuk mund ta arrijnë prodhimin e kantiereve kineze.

“Ata kanë 13 kantiere anijesh, në disa raste, kantieri i tyre ka më shumë kapacitet – një kantier ka më shumë kapacitet se të gjitha kantieret tona së bashku. Kjo paraqet një kërcënim real”- pretendoi zyrtari i Departamentit të Forcave Detare.

Ai nuk dha hollësi për këto kantiere anijesh, por raportet kineze e perëndimore thonë se Kina ka gjashtë kantiere të mëdha për prodhimin e anijeve e dy kantiere më të vogla.

Sa i përket fuqisë punëtore në këto kantiere, Del Toro tha se Kina ka përparësi numerike në këtë aspekt, kryesisht për shkak se nuk ka kufizime, rregullore dhe presione ekonomike, të cilat e prekin sistemin e punësimit në ShBA.

Lajme të ngjashme