Zyrtari amerikan që s'e takon Kurtin: Presidente faleminderit, po punojmë për Kosovë më të fortë e më të sigurt
Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson është takuar të enjten me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite të tij në vendin tonë.
Në një konferencë për media pas përfundimit të takimit, Robinson ka thënë se vizita e tij tregon mbështetjen e ShBA-së për Policinë e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe qytetarë.
“Presidente faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë, mundësinë për të biseduar me juve për çështje të rëndësishme për të cilat kemi diskutuar që një kohë të gjatë. Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë, atë që po bëni ju, për çka po punon policia, shërbimet e sigurisë, qytetarët e zakonshëm – është më të vërtetë i rëndësishëm dhe porosia ime do të ishte që ShBA-të janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institcione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.” – deklaroi ai.
Tutje, Robinson u shpreh:
“Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për një Kosovë më të fortë, më transparente në të ardhmen, për të gjithë qytetarët”.
Në fund, zyrtari i lartë amerikan theksoi se kjo nuk është hera e parë e tij në Ballkan pasi ka punuar edhe më herët në rajon, derisa përmendi “mundësinë për t’u takuar me kolegë të Osmanit në qeveri”, ani se në agjendë s’e ka takimin me Kurtin.
“Nuk është hera e parë që jam në Ballkan, siç e vut në pah, kam punuar në rajon edhe më herët, mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për t’u takuar edhe me kolegët tuaj në qeveri dhe sektorin e gjyqësorit.” – deklaroi Robbinson.
Si ishte shtyrë para 9 muajsh vizita e Robinson?
Para nëntë muajsh, kur veriu i vendit ishte në kulmin e tensioneve, vizita e ndihmës sekretari Todd Robinson për në Kosovë ishte shtyrë.
Ambasada amerikane, në përgjigjen që Nacionale kishte kërkuar lidhur me shtyrjen e kësaj vizite, vetëm pati bërë thirrje ‘për deeskalim të situatës’
Në një përgjigje atëbotë për Nacionalen, Ambasada Amerikane kishte bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.
“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – pati thënë një zëdhënës.