Zyrtari amerikan i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë
Një zyrtar i lartë amerikan i bëri thirrje Serbisë të enjten që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, nëse ajo dëshiron të "përparojë".
"Ne respektojmë pozicionet e liderëve në Beograd, por për arsye praktike ne besojmë se për sa kohë që Serbia qëndron larg sanksioneve, ajo nuk mund të përparojë," u tha gazetarëve këshilltari i sekretarit amerikan të shtetit Derek Chollet pas një takimi me zyrtarë të lartë serbë në Beograd.
Duke vlerësuar si të rëndësishëm faktin që Serbia votoi kundër pushtimit rus në OKB, ai i bëri thirrje Beogradit që të "qëndrojë edhe më shumë me Ukrainën, e cila ka nevojë për mbështetje më të madhe", por edhe "të ndëshkojë sjelljen e Rusisë". Chollet tha gjithashtu se një kompromis mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet në vitin 2023 dhe se ai e udhëheq atë përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
Çështja e pazgjidhur e Kosovës
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është në krizë prej muajsh dhe marrëdhëniet mes dy palëve u ndërlikuan edhe më shumë nga tensionet në fund të vitit të kaluar, duke përfshirë tërheqjen e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës dhe barrikadat e ngritura nga serbët në veri të Kosovës duke kërkuar që Prishtina të sigurojë formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.
“Çështja e Kosovës është e pazgjidhur dhe kriza si ato të disa javëve më parë janë të mundshme... Ne nuk duam ta shohim një ngjarje të tillë përsëri”, tha Chollet, duke theksuar se formimi i asociacionit “është një hap kritik që duhet të të merret."
Pas bisedës me liderët e Kosovës, ai tha se Kosova pritet t'i përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë asociacionin, sepse është një “obligim ndërkombëtar”. Ai shtoi se SHBA mban lidhje të forta me Prishtinën dhe se vendi i tij ndan vizionin e një Kosove "sovrane, të pavarur, të begatë dhe multietnike" dhe "integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike dhe evropiane". /Nacionale/