Zyrtarët e VV-së vazhdojnë me fake news: O’Brien (nuk) e zëvendëson Escobarin
Partia në pushet kohëve të fundit ka lëshuar një mori lajmesh të pavërteta. Anipse të njejtit kanë filluar një fushatë me emrin: “Lajmet që nuk jepen”, me qëllim denigrimin e mediave, në fakt janë vet ata që po shpërndajnë lajme të pavërteta. Andaj, mediat nuk i shkruajnë ato lajme. Sepse janë të pavërteta. I fundit që ka lëshuar një “fake news”, është zyrtari Avni Zogiani, i cili ka pretenduar se James O’Brien e zëvendëson, Gabriel Escobarin (si emisar për Ballkanin).
“James C. O'Brien zevendeson Gabriel Escobarin!”- ka shkruar Zogiani.
Në fakt ky “lajm” është i pavërtetë, në dy dimensione. E para, James O’Brien, është propozuar për një pozitë tjetër. Ai pritet që ta marrë poziten e asistentit të sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Pozitë kjo e cila deri para pak kohësh është mbajtur nga Karen Donfried.
E dyta, O’Brien në fakt, në momentin e postimit të Zogjanit, e të këtij artikulli, nuk e ka zëvendësuar askënd. Ai është ende si i propozuar, dhe pritet të miratohet në senat.
Kujtojmë, se Donfried, vitin e kaluar kishte vizituar Kosovën.
Kontekst:
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar diplomatin e njohur amerikan, James O’Brien, për postin e asistentit të sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Tash për tash, O’Brien shërben si drejtor i Zyrës për Bashkërendimin e Sanksioneve në Departamentin e Shtetit, pozitë që e mban nga viti 2022, thuhet në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Në të kaluarën, ai ka shërbyer në dy administrata si emisar i posaçëm presidencial. O’Brien është vlerësuar me shumë çmime gjatë periudhës 1989 – 2001 dhe ka shërbyer edhe si këshilltar i lartë i ish-sekretares Madeleine Albright.
O’Brien ka udhëhequr një program të madh e të suksesshëm sanksionesh dhe ka këshilluar për një varg çështjes, përfshirë bisedimet e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore e mjedisore, tranzicionet pas-sovjetike të Rusisë dhe Ukrainës si dhe nismat për të hetuar e ndjekur penalisht persona përgjegjës për krime lufte, sipas Shtëpisë së Bardhë.
O’Brien kishte rol edhe gjatë menaxhimit të Marrëveshjes së Dejtonit për arritjen e paqes në Bosnjë e Hercegovinë.
Nga gushti i vitit 2015 deri në janarin e vitit 2017, O’Brien shërbeu si emisari i parë i posaçëm për çështje të pengjeve në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Në tetorin e vitit 2021, O’Brien u nominua për të shërbyer si drejtor i Zyrës për Bashkërendimin e Sanksioneve në administratën e presidentit Biden, pozitë me rangun e ambasadorit. Më 6 prill 2022, nominimi i tij u konfirmua nga Senati i ShBA-së me 71 vota për e 26 kundër.