Haliti i bashkohet Lushtakut, kërkon "reflektim të PDK-së" për propozimin e BE-së
Pas ‘qortimit’ të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Kosovë ndaj PDK-së për mospërkrahjen ndaj propozimit të BE-së, tashmë zyrtarë të kësaj partie kanë kërkuar që propozimi të përkrahet. Anëtarët e PDK-së, Sami Lushtatku dhe Xhavit Haliti janë zërat brenda PDK-së që po kërkojnë të përkrahet propozimi i BE-së.
Sami Lushtaku, një prej anëtarëve më rëndësi në PDK, para disa ditëve ka kërkuar qe marrëveshja duhet të kalojë.
“Ne si PDK jemi krenarë me punën që kemi bërë sot, para 10 viteve por dhe para 25 viteve nga paraardhësja jonë ushtarake. Plani amerikan për paqe në Ballkan është plan i aleancës tonë me miqtë tanë. Marrëveshja do të kalojë sepse kemi nevojë për NATO dhe për një hov të zhvillimit përpara.” – kishte shkruar ai.
Ai kishte thënë kryeministri, Albin Kurti “vjen e shkon” por aleanca me Amerikën do të mbetet përgjithmonë.
"Albini vjen e shkon si një mashtrues i imtë, por sakrifica jonë dhe aleanca jonë me SHBA do të mbetet përgjithmonë” – kishte shkruar Lushtaku në Facebook.
Përveç Lushtakut që ishte i parë që tha se PDK duhet të mbeshtet këtë plan tash edhe deputeti i kësaj partie, Xhavit Haliti ka thënë se propozimi duhet të nënshkruhet teksa ka kërkuar që PDK të reflektojë.
“Për interesa të vendit është mirë që të nënshkruhet marrëveshja nga pala kosovare. Unë uroj që gjatë këtyre ditëve PDK të reflektojë duke qenë opozitë e vërtetë kundër atyre që duhet me qenë, por kjo nuk është çështje e Albin Kurtit, kjo është çështje e Kosovës.” – ka thënë Haliti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
“Mendoj që ne duhet të flasim për të metat e kësaj marrëveshje ‘nëse ka’, sepse çdokush nga këndvështrimi i vetë mundët me dhënë vërejtje të veta. Por, unë e shoh këtë marrëveshje si aneks të marrëveshjeve të mëhershme, e cila ia mundëson të dyja palëve dhe i obligon që marrëveshjet e mëparshme t’i zbatojnë përmes një dokumenti shtesë duke i pasur parasysh të gjitha ato që kanë ndodhur.” – ka deklaruar tutje Haliti.
Krasniqi i “vetëvendosur”
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përsëri ka deklaruar rezervat e tij ndaj propozimit të BE-së.
Edhe në takim me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, Krasniqi kishte thënë se “kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër.”
“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër.” – kishte deklaruar ai pas takimit me ambasadorin amerikan.
Krasniqi kështu i ka thënë edhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në takimin më 10 mars në Prishtinë.
Shqetësimi amerikan
Ditë më parë, ambasada e Amerikës në Kosovë u shprehën të shqetësuar me PDK-në dhe LDK-në për qasjen e tyre ndaj propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së,” – u shpreh një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë për Paparacin
“Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-ve për propozimin,” – thuhet më tej në këtë reagim.




