Zvogëlimi për 25%: Sveçla e pranonte që s'e dinte sa ishte numri i policëve në veri të Kosovës
Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka informuar publikun se është pajtuar për të de-eskaluar tensionet në pjesën veriore të Kosovës. Kjo përfshinte edhe zvogëlimin e “menjëhershëm” për 25% të prezencës policore “në dhe rreth ndërtesave komunale”. Por, sa është kjo prezencë dhe pse s’e dinte numrin as Xhelal Sveçla?
Një zmbrapsje tjetër e rëndë – nëse marrim parasysh sanksionet e BE-së dhe qortimet e rënda të ShBA-së – ka ndodhur nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Pas “bisedimesh intenzive” – siç tha Llajçaku – ishte arritur një marrëveshje për hapat e parë drejt qëllimit të deeskalimit. Një ditë më vonë për një gjë të tillë do të njoftonte edhe Qeveria e Kosovës.
Qeveria do të njoftonte se me qëllim që të kthehej fokusi te Marrëveshja Bazike ishte arritur marrëveshja për “zvogëlimin e menjëhershëm për 25 për qind të prezencës policore” në dhe rreth ndërtesave komunale.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i më pas do të shikonin mundësitë për “zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”. Aty parashihej që të kishte edhe zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut pas stinës së verës.
Këshilltari i zv.kryeministrit Besnik Bislimi me emrin Klisman Kadiu ka bërë një numër të madh statusesh në Facebook duke treguar se po largoheshin vetëm 25% e prezencës policore në veri.
Por, se sa domethënës ishte ky numër na e tregon një intervistë e publikuar para disa ditësh në Kossev nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.
Nuk e di. Nuk e di. Nuk e di.
Në intervistën e dhënë për Kossevin, nga stacioni policor në jug të Mitrovicës, ministri Sveçla po i fliste komunitetit serb. Ai në një moment pyetet bash për numrin e zyrtarëve të policisë së Kosovës – të rregullt dhe specialë – në katër komunat e pjesës veriore.
Përgjigja e tij është e qartë. Nuk e dinte.
Lexojeni komunikimin e mëposhtëm:
Gazetarja: “Sa zyrtarë të rregullt policie janë në katër komunat e pjesës veriore, dhe sa është numri i njësive speciale?” -
Xhelal Sveçla: “Nuk e di.”
Gazetarja: “Nuk e dini?”
Xhelal Sveçla: “Nuk e di. Është çështje e gjykimit të përcaktuar nga profesionistët.”
Gazetarja: “Ku mund ta marrim këtë informacion?”
Xhelal Sveçla: “Mund ta pyesni Policinë e Kosovës.”
Gazetarja: “Pra ju, si ministër, nuk e dini, madje as për analizat tuaja, se sa është numri aktual i forcave të rregullta dhe forcave speciale në veri?”
Xhelal Sveçla: “Natyrisht, marr raportime.”
Gazetarja: “A mund të na thoni neve, apo është informacioni konfidencial?”
Xhelal Sveçla: “Natyrisht se marrë raporte. Por ato raporte bazohen në fakte dhe natyrisht në percepsione dhe analiza.”
Nacionale ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për numrin e saktë të policëve në pjesën veriore të vendit.
Kujtojmë se pas njoftimit për marrëveshje ka pasur shumë reagime të ndryshme.
