Zv.ministri i Kurtit dyshohej se ishte i përfshirë edhe në një aferë tjetër: Çka i kishte thënë ai Nacionales? - NACIONALE

Zv.ministri i Kurtit dyshohej se ishte i përfshirë edhe në një aferë tjetër: Çka i kishte thënë ai Nacionales?

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Insajderi gjatë ditës së enjte publikoi një audio-inçizim, ku thuhet se dëgjohet një zv.ministër, më konkretisht Almir Veliji, i cili është i përfshirë në ryshfet. I njëjti, ishte akuzuar edhe për një rast tjetër. Çka i kishte thënë ai Nacionales?

Sipas audio-incizimit, zëvendësministri Veliji flet për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh dhe bisedon me një person, emri i të cilit nuk është bërë publik.

Aferë tjetër?

Në fund të vitit të kaluar, një qytetar me emrin Binak Sylaj kishte zgjedhur që pikërisht në rrjetin social Facebook, të publikonte disa dokumente, përmes së cilave akuzonte zëvendësministrin Veliji se është i përfshirë në ryshfet lidhur me disa granted he anulimin e aplikuesve për grante.

Z. Sylaj, në Facebook pretendon se e ftoi zëvendësministrin për vizitë në Zvicër, bëri deponim të të hollave që të pajiset me vizë dhe ia pagoi biletën e udhëtimit.

“Zotëri, zv. Ministër, unë ju bëra ftesën me kërkesën tuaj për ta vizituar Zvicrën (foto1). Unë mora të gjitha garancat dhe bëra deponi të të hollave që ju të pajiseni me Vizë (foto2). Unë ju pagova bileten e udhëtimit (foto3). Unë ju prita në aeroportin e Baselit dhe ju dërgova deri tek Hoteli në Cyrih. Unë ju bëra rezervimin e hotelit, mirëpo hotelin e paguat ju vetë, vetëm kjo është e vërteta! Unë ju kam shetitur në Cyrih, ju kam nxjerr në drekë dhe për kafe.” – kishte shkruar ai.

I njëjti, duket se e ka fshirë nga llogaria e tij në Facebook postimin.

Atë kohë, Sylaj pretendonte se i ka dhënë 3 mijë e 500 euro për t’i paguar borxhet, që siç thuhet tutje, zëvendësministri “i kishte vjedhur nga subjekti i tij politik”.

Këtu, ai përmendi se u ballafaqua me zëvendësministrin dhe i tha se “është i përfshirë në ryshfet” në lidhje me disa grante.

Harrove që ti dhash në CHE Bar, 3500 € të mbshtjellura në një qese? Kishe shumë nëvojë përshkak të borxheve që kishe për ti kthyer që kishe vjedhur nga subjekti ytë politikë! Kur një ditë të ballafaqova dhe të thash se je i përfshirë në ryshfet lidhur me grantet dhe anulimin e aplikuesve për grante, aty përfundojë çdogjë mes nesh. E para përshkak se, ke shfrytëzuar çdo të mirë njerëzore nga unë, e dyta përshkak se shfrytëzonë detyrën dhe veturën zyrtare, mbushjet e kartelave të valës dhe shumë send tjetër. Kurrë mos akuzo askënd për shpifje apo gjë tjetër, e vërteta është kjo!” - thuhej në fund të këtij postimi.

Çka na tha zv.ministri?

Gazeta Nacionale kishte kontaktuar me zëvendësministrin Veliji, i cili pati mohuar këto akuza që janë bërë në drejtim të tij, duke thënë se do ta paditë personin në fjalë.

“Personin në fjalë unë e njoh, po këto janë shpifje drejtpërdrejtë, nëse diçka personi në fjalë ka kundër meje, është prokuroria, policia le të shkon le t’i deponon. Unë do ta padis personin në fjalë. Unë jam njeri më i pastër dhe më i lumtur në botë, jam duke punu për të gjithë qytetarët pa dallim feje, pa dallim etnie. Do ta vazhdojë rrugën time për të dhënë kontribut për qytetarët e Kosovës." - ka thënë ai.

Tutje, Veliji i kishte thënë Nacionales se personin në fjalë e njeh, pasi që ia kishte rezervuar hotelin në Zvicër, por se pagesën e ka bërë vetë ai.

“Personi në fjalë e njoh unë, nga përpara e njoh, personi është vetëm që ma ka rezervu hotelin masi jeton atje, ndërsa unë hotelin e kam paguar me faturën time. Dikujt ja ka dërgu, ja ka qit emrin tjetër. Nëse ka prova, le të shkon në polici në prokurori, nëse nuk ka, do ta padis për shpifje. S’është e vërtetë (që jam marrë me ryshfet)." - tha ai.

Lajme të ngjashme