Zohran Mamdani, myslimani që pritet të bëhet kryetar i New York
A do të bëhet New Yorku qyteti i dytë i madh perëndimor, pas Londrës, që zgjedh një kryetar bashkie mysliman – dhe për më tepër edhe socialist?
Sa herë kemi thënë: këto dy ideologji, islami dhe socializmi, flirtojnë bukur shumë mes vete.
I bashkon një gjë: urrejtja ndaj Amerikës.
Ups. New Yorku qenka në Amerikë. Hehehe. Nuk është kaq e thjeshtë. Tani e shpjegojmë.
Mbrëmë, Zohran Mamdani i ka fituar zgjedhjet për të qenë kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të qytetit që nuk fle kurrë – siç njihet ndryshe New Yorku.
Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm demokratët – rreth 1 milion votues – dhe në garë ishin rreth 10 kandidatë. I vetmi kundërshtar serioz i Mamdanit ishte Andrew Cuomo, ish-kryetar i New Yorkut, i cili kishte dhënë dorëheqje pas akuzave për ngacmim seksual ndaj grave.
Mamdani i fitoi primaret me 43% të votave. Cuomo doli i dyti me 35%.
Primaret e Partisë Demokratike në Amerikë nuk janë si ato të Partisë Demokratike në Shqipëri. Në Amerikë, kur i fiton primaret, puna ka mbaruar – partia vetëm të duartroket.
Ndërsa të jesh kandidat i Partisë Demokratike për New York, është pak a shumë si të jesh kandidat i PD-së për Skenderaj – fitorja është thuajse e garantuar.
Në 60–70 vitet e fundit, zgjedhjet për kryetar të New Yorkut janë fituar vetëm dy herë nga kandidatë republikanë. Të gjitha herët e tjera i kanë fituar demokratët ose të pavarurit.
Fitorja e djaloshit 33-vjeçar e ka tronditur deri në themel udhëheqësinë e Partisë Demokratike, e cila ishte rreshtuar në mbështetje të veteranit Cuomo. Ish-presidenti Bill Clinton dhe e gjithë elita e pasur e qytetit e mbështesnin Andrew Cuomon.
Mamdani kishte vetëm përkrahjen e Bernie Sandersit dhe të Alexandria Ocasio-Cortezit – të dy të konsideruar, sikurse edhe ai vetë, demokratë socialistë.
Kjo është shumë më majtas sesa të jesh thjesht socialdemokrat. Demokratët socialistë gjenden në cepin më të majtë të kompasit ideologjik – aty ku më parë banonin vetëm Sanders dhe AOC, ndërsa tani u është bashkuar edhe Zohran Mamdani.
Por Mamdani nuk është thjesht një politikan me origjinë myslimane.
Jo, jo.
Ai është mysliman që agjëron – bile edhe iftar bën publikisht, në tren. Një video e tij duke ngrënë burrito për iftar në metro ishte bërë virale.
Përtej kësaj, Mamdani ka tronditur elitat politike – si demokratët, ashtu edhe republikanët – me qëndrimet e tij ndaj Lindjes së Mesme.
Ai e ka përkrahur fushatën për “globalizimin e intifadës” – një lëvizje pro-palestineze që kërkon zgjerimin e protestave në të gjithë botën.
Ai ka krijuar valë reagimesh kur deklaroi se ajo çka po ndodh në Gazë është e ngjashme me getot e Varshavës, ku hebrenjtë mbaheshin të mbyllur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I pyetur nëse e përkrah ekzistencën e një shteti hebre, Mamdani nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai ka thënë se e përkrah ekzistencën e Izraelit si shtet për të gjitha besimet.
Akuzave për antisemitizëm i është përgjigjur duke thënë jo, dhe se nëse zgjidhet kryetar, do të rrisë fondet për luftën kundër dhunës mbi bazë fetare.
Në New York jetojnë rreth 1 milion myslimanë, por gjithashtu edhe rreth 1 milion hebrenj – komuniteti më i madh hebraik në botë pas Izraelit.
Zgjedhjet e përgjithshme për kryetarin e New Yorkut do të mbahen të martën e parë të nëntorit. Tashmë është e sigurt se në garë do të jenë Zohran Mamdani dhe kryetari aktual, Eric Adams.
Adams i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2021 si demokrat, por këtë herë do të garojë si i pavarur, pasi u përjashtua nga gara brenda partisë. Kjo erdhi pas një flirti të tij me Donald Trumpin – i cili e mbështeti publikisht, pasi Adams u përball me akuza për korrupsion dhe Partia Demokratike i kërkoi të jepte dorëheqje.
Ka gjasa që gara të bëhet edhe më e ndërlikuar. Andrew Cuomo – i cili humbi mbrëmë në primare – ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e nëntorit.
Nëse ndodh kjo, ajo do t’i rrisë ndjeshëm shanset e Mamdanit për të fituar, sepse Cuomo dhe Adams ka gjasa të konkurrojnë për të njëjtin bllok votues.
Kryetari i bashkisë së New Yorkut zgjidhet ai që merr më shumë vota. Nuk është e nevojshme të marrë shumicën absolute (50%+1).
Zohran Mamdani ka deklaruar se do të jetë “tmerri i Donald Trumpit”.
Në fakt, republikanët shpesh gëzohen kur demokratët lëvizin në ekstreme – qofshin këto të majta radikale apo kandidatë myslimanë – sepse besojnë se kjo i ndihmon ata të fitojnë votuesit e moderuar.
Ndërkohë, Mamdani ka premtuar:
Transport publik (autobusë) falas në New York;
Supermarkete shtetërore, që do të funksionojnë pa fitim dhe do të detyrojnë rrjetet private të ulin çmimet.
Në këtë video/editorial janë përdorur si burime: New York Times, Time Magazine, The Independent, BBC dhe The Guardian.