Zogaj: Situata në veri i bën kryetarët e zgjedhur të duken “të dhunshëm” - NACIONALE

Zogaj: Situata në veri i bën kryetarët e zgjedhur të duken “të dhunshëm”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendosja e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore ka shkaktuar përleshje në qytetin e Zveçanit me Policinë e Kosovës dhe protestuesit atje.

Analisti Petrit Zogaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se edhe pse zgjedhjet në katër komunat veriore kanë bazë legale dhe politike, kryetarët e zgjedhur atje duke si "kryetarë të dhunshëm".

Sipas tij, kjo situatë paraqet një dhuratë të mirë për presidentin serb, Vuçiqin.

"Pa marrë parasysh që ekziston një interpretim legal dhe politik për zgjedhjet në katër komunat në veri, situata e krijuar sot atje bën që kryetarët e zgjedhur të duken si 'kryetarë të dhunshëm.' Në këtë kohë, nuk ka dhuratë më të mirë për Vuçiqin," ka thënë Zogaj.

Sfond: Të premten, në përpjekjeve për t’u futur në objektet komunale, kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan kanë hasur në rezistencë të qytetarëve serbë të cilët kanë bllokuar hyrjet. Kjo situatë ka sjellë përleshje mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në atë zonë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga përleshjet në veri janë lënduar pesë policë. Përmes një komunikate për medie, është bërë po ashtu me dije se janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare.

Pas ngjarjeve në veri, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka takuar kryeministrin Kurti në zyrën e tij.

Ngjarjet e sotme kanë shkaktuar tensione në raport me Qeverinë e Kosovës dhe SHBA-të. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka dënuar ashpër aksionet e policisë për t`i vendosur kryetarët e rinj të komunave verior në zyrat e komunave.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë.

Edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i ka shpërndarë postimin ambasadorit Hovenier në profilin e tij në Twitter. Kurse, senatori amerikan Chris Murphy ka qenë edhe më i ashpër me Kosovën.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kur ishte në Kosovë, kryeministri Kurti nuk i kishte përmendur këtë plan.

“Në takimin e të hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për të hyrë në ndërtesat komunale.” – ka thënë ai.

Rreth 50 mijë serbë që jetojnë në katër komuna veriore të Kosovës, përfshirë Zveçanin, iu shmangën votimit të 23 prillit nën pretendimet se kërkesat e tyre për më shumë autonomi nuk ishin përmbushur. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 3.47% dhe serbët vendas kishin paralajmëruar se nuk do të punonin me kryetarët e rinj në katër komunat .

Lajme të ngjashme