Drejtori i Spitalit në veri që bënte propagandë për "katastrofë humanitare", bëhet kryetar i Listës Serbe - NACIONALE

Drejtori i Spitalit në veri që bënte propagandë për "katastrofë humanitare", bëhet kryetar i Listës Serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zllatan Ellek është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Ai u zgjodh kryetar në mbledhjen e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re.

Nacionale, përmes burimeve, ditën e hënë kishte kuptuar se Ellek do të jetë kryetar i ri i Listës Serbe.

Kush është Zllatan Ellek?

Në maj të vitit 2020, Qeveria e Serbisë emëroi Zllatan Ellekun ushtrues detyre të drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ky institucion, sikurse institucionet tjera shëndetësore në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punon në sistemin serb, raportonRadio Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Elleku mori pjesë në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit 2022, një ditë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Ai më pas në fjalimin e tij tha se “ne mbijetuam falë mbështetjes së lidershipit tonë, në radhë të parë presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Së fundmi, ai ka theksuar se për shkak të “terrorit të Kurtit”, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen nga “katastrofa humanitare”.

Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e barnave dhe materialeve mjekësore, gjë që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Këto ndryshime në lidershipin e partisë po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë. Ai është duke u hetuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Lajme të ngjashme