"Ripërzierja e letrave" në Listën Serbe, kush do të jetë kryetari i ri nesër dhe kush largohet? - NACIONALE

"Ripërzierja e letrave" në Listën Serbe, kush do të jetë kryetari i ri nesër dhe kush largohet?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Pas sulmit paramilitar e terrorist në Banjskë; dekonspirimit dhe ekspozimit të tij, Lista Serbe tash e ka gjetur veten të zhveshun para publikut për nga qëllimet e tyre – drita mbi ta nuk hodhi në pah gjëra të mira.

Fundja, për gjëra të mira Lista Serbe nuk është që njihet në rend të parë.

Pasi kryetar faktik i saj Millan Radojiçiqi ia mësyu veriut ushtarakisht – mësymje kjo që i përfundoi moz-o-më-keq – Listës Serbe iu ngatërrua oborri, e jo veç vetja në oborr.

Po t’i besohet Zëvendës Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomoriviq, ishte vetë Lista Serbe që i armatosi terroristët dhe tre prej të vrarve janë tepër të afërt me ta.

Çka ky tripolaritet i LS-së? Njëherë shpalli ditë zie për terroristët, pastaj kërkoi të shpalljen zgjedhje të reja në veri, tash ka shpallur zgjedhje brenda vetes.

Shumë shpallje brenda pak kohe, pasi ajo shpallja e synuar u dështoi – që është, sigurisht nëse mund t’i besojmë Albin Kurtit dhe Xhelal Sveçlës: shpallja e veriut të aneksuar, si pjesë e Serbisë apo autonomi e plotë më vete që synim ka kthimin me Serbinë.

Çka po ndodh?

Nesër – më 24 shtator – Lista Serbe ka thirrur zgjedhje të brendshme të partisë, ku do të provojnë të riinxhinjerojnë veten, le të themi, njëfar tentim-rishpërlarlje, pasi kryetari faktit i tyre u zu në sulm paramilitar dhe terrorist ndaj shtetit të Kosovës.

Por, kjo ripërzierje kartash, qysh në start është veçse nji “cheap trick” tik-toku.

Nacionalja ka kuptuar përmes burimeve të saj se si do të duket kjo ripërzierje kartash – e ku EJSI s’do shumë mend që do të jetë Radojqiqi në ekzil.

Megjithatë, Goran Rakiqi s’do të jetë më Xheku formal: që njëherë e një kohë zëvendëskryeministrë në Qeverinë Kurti II i krahasonte aksionet policore me “Kristallnacht” dhe nuk shkarkohej.

Kësaj here, po shkarkohet nga partia e vet – dhe, siç mëson Nacionalja, por që mbetet ende për t’u konfirmuar, vendin e tij do ta zë Drejtori i Spitalit të Mitrovicës së Veriut – Zlatan Elek.

Por, kush nga figurat e vjetra të tjera s’do të jetë më në Srpskan – srpskan e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, përkatësisht degën e saj në Kosovë.

Sllavko Simiq s’do të jetë më në Listën Serbe në pozita udhëheqëse – Sllavko do të ketë më shumë kohë të përballet në gjyq me Mimoza Kusari-Lilën për Aferën Zdravo – që, me që ra fjala, Kusari-Lila nuk e ka paditur për shpifje por për inçizim të paautorizuar.

Tjetër figura që s’do të jenë në udhëheqësinë e Srpska, siç mëson më tej Nacionalja, është Srdjan Vuloviqi.

Megjithëkëtë, Nacionalja kupton që dy figura prej të vjetërve të Listës Serbe do të mbeten në pozita udhëheqëse: Igor Simiqi dhe Dragisha Milloviqi (ish kryetar i Zveçanit).

Sigurisht, qysh nesër do ta kuptojmë më mirë.

Lajme të ngjashme