Zhbllokohen marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend: AAK-ja ndryshon qëndrim, PDK-ja nuk merr pjesë në votim - NACIONALE

Zhbllokohen marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend: AAK-ja ndryshon qëndrim, PDK-ja nuk merr pjesë në votim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zhbllokuar procesi i votimit të marrëveshjet ndërkombëtare, të cilin ishin bllokuar prej muajsh.

Me votat e deputetëve të VV-së, LDK-së dhe AAK-së sot Kuvendi ka miratuar disa marrëveshje ndërkombëtarët.

Miratimi i këtyre marrëveshjeve është bërë i mundur pasi AAK-ja ka ndryshuar qëndrim.

Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka treguar se pse deri me tani kjo parti ka qenë kundër votimit të këtyre marrëveshje.

Tani jemi në vitin e tretë kur kjo qeveri ka arritur që në masën më rekorde të mos shpenzojë buxhetin e vet. Për katër muaj rresht kemi qenë në cak të kritikës si opozitë për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo që dua t’iu them qytetarëve është se AAK përgjatë dy vite e gjysmë i ka votuar 830 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare. Qëndrimi ynë politik për të mos i votuar është për t’iu treguar sa e rëndësishme është opozita dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar dhe ndërtimi i koncensusit për çështje të brendshme dhe jo për të dëmtuar të mirën publike. Andaj, j thërras që t’i keni parasysh agjendat që kanë karaktere kombëtare, që kanë karaktere të së mirës publike – mos mbani inat!”, ka thënë Tahiri, para fillimit të procesit të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, PDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në votimin e këtyre marrëveshjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij s’do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare meqë vendi gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së.

Prandaj, si Grup Parlamentar i PDK në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijnë për diskutim e votim marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Si grup i PDK-së nuk do t’i votojmë sepse vendi është nën masa dhe sanksione pikërisht nga BE. Pra, paratë nga marrëveshjet e votuara sot s’arrijnë me u disbursu. Nga ana tjetër, shtoje faktin këtu të paaftësisë në qeverisje, të parave që janë bartur nga projektet kapitale prej vitit 2023 në vitin 2024. Pra, ne të votojmë ta rrisim borxhin publik, t’i shtijmë në borxh gjeneratat e reja dhe me një qeveri kaq të paaftë është e papranueshme”, ka thënë ai.

Marrëveshjet e votuara

Në seancën e sotme, deri me tani janë miratuar disa marrëveshje.

Marrëveshjet e votuara janë: Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”; Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit; Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”; Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.

Në këtë seancë u shqyrtuar edhe Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Por, kjo marrëveshje nuk është miratuar, pasi nuk është përkrahur nga LDK-ja. Kjo parti ka kërkuar që të mos miratohet kjo marrëveshje.

Në rend të ditës është edhe edhe Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm dhe Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.

Lajme të ngjashme