Zgjidhje, apo ngërç i ri te nënkryetari serb i Kuvendit? - NACIONALE

Zgjidhje, apo ngërç i ri te nënkryetari serb i Kuvendit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Edhe sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të mësyjnë institucionin më të lartë legjislativ.

Megjithatë, këtë herë, me kryetar të zgjedhur. Por, me bllokadë që vazhdon.

Pavarësisht se Dimal Basha u votua për kryetar, bllokimi erdhi te nënkryetari serb i Kuvendit.

Pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar i Kuvendit, erdhi radha te votimi i nënkryetarëve.

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë.

Nga nënkryetarët e komuniteteve parashihej votim i përbashkët, por më pas shkuan me votim të ndarë.

Emilija Rexhepi mori votat, por propozimi i Listës Serbe jo.

Slavko Simiq në tri tentimi nuk mori votat e mjaftueshme. Më pas, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, procedoi me short.

Kandidatët e Listës Serbe nuk pranuan të jenë pjesë e procesit e as kandidatë.

Shorti dikur e nxori emrin e Nenad Rashiqit, por as ky nuk mori votat.

PDK-ja abstenoi në këtë votim, kurse LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Këta të fundit, në asnjë votim nuk morën pjesë.

Pavarësisht se shoqëria civile ka thënë se me votim të ndarë të nënkryetarëve nga komunitetet është shkelur Kushtetuta, kjo nuk pritet të ndryshojë shumë as në seancën e sotme.

Ehat Miftaraj, jurist nga Institutiu Kosovar për Drejtësi, tha se “çka është tepër është tepër”. Ndërkohë Vetëvendosja në varg veçse ka nisur sulmet ndaj partive politike ish-opozitare për “shansin historik” të eliminimit të Listës Serbe nga posti i Nënkryetarit.

“Kryetar Dimal Basha, Lëvizje Vetvendosje. Lexone pikën 156 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit gusht të vitit 2025.Mos boni filma, mos na dëshmoni sa jeni patriota se kush ka qenë patriot e trim e ka tregu veten në vitet 90. Dëshmonu bile se e doni vetem pak këtë Republikë dhe I respektoni vendimet e Gjyjatës Kushtetuese. Edhe Rregulloren e Kuvendit nenin 12 lexone. Vet e keni shkru, me vota tuaja u miratu. Tash edhe kete ceshtje doni me sjell punen me dergu ne kushtetuese dhe me vonu konstituimin edhe disa jave a muaj a? Mosni, se boll e keni vonu konstituimin. Çka eshte teper, eshte teper”, shkroi Miftaraj.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus gjithashtu konsideron se është antikushtetuese se si Vetëvendosja përmes Elbert Krasniqit ndau votimet për pakicat kombëtare rreth zgjedhjes së Nënkryetarëve të Kuvendit, dy të cilat u takojnë me Kushtetutë.

“Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët. Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike”, tha ai.

“Aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet. Gjithashtu, skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti”, tha Albert Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tash parashikon krizë të re kushtetuese dhe se çështja mund të shkojë në interpretim të ri.

“Tash çështje konstitucionale, besoj që do të futmei në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në RKS, pakicës sebre, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtës për propozimit. Ne nuk marrin pjesë në procese që nuk i konsideorjmnë kushtetuese, është parimor. Tash të shohim si do të votojnë deputetët shumicë”, tha ai.

Lajme të ngjashme