Zgjedhjet serbe, 1 vjet Qeveri Kurti e “Pse më shkarkuat?” – ngjarjet kryesore të javës që iku
“Ballkani prodhon më shumë histori se që mund të konsumojë” – shkruante dekada më parë Winston Churchill, ish kryeministër i Britanisë së Madhe. Zhvillimet e deklaratat e javës së fundit në Kosovë e rajon, në një formë, dëshmojnë se paralajmërimi i shtruar si ‘profeci’ e liderit britanik ishte e qëlluar.
Sepse të ënjtjen e kësaj jave, në Ballkanin Perëndimor u fol hiç më pak se për konflikt të armatosur, arrestim të grupeve ekstreme serbë në Kosovë e gatishmëri për përballja me çfarëdo agresioni. E premtja pastaj u karakterizua me protestën e serbëve, të cilët kërkuan kthimin e gjyqtares së suspenduar për pjesëmarrje në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.
I gjithë ky tension u krijua si pasojë e përplasjeve rreth zgjedhjeve serbe të 3 prillit dhe mundësisë së organizimit të tyre në Kosovë.
Gjatë gjithë javës deklarimet, reagimet, kundër reagimet e përplasjet për zgjedhjet e Serbisë nuk ndaluan për asnjë moment.
Përderisa kryeministrit Albin Kurti këmbëngulte për marrëveshje për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk denjonte të shtronte kërkesën tek institucionet kosovare.
Aty diku në mes të palëve, të zënë si të papërgatitur nga këmbëngulja e shefit të ekzekutivit kosovar, qenë ndërkombëtarët, të cilëve natyra e punës u obligon lehtësimin e marrëveshjes.
Përkundër orvajtjeve, BE e ShBA-të dështuan të gjejnë një zgjidhje rreth organizimit të zgjedhjeve serbe në territorin kosovar. E kur u pa që s’ka gjë nga përpjekja për rrugëdalje nga qëndimet e betonizuara të palëve, ata u deklaruan për çështjen.
Mirosllav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, në një intervistë tregoi për prapaskenat dhe planin të cilin e refuzoi Kurti. BE theksoi se me mos dakordimin, Kosova po rrezikonte të ardhmen evropiane.
Kritikat e Ambasadave të vendeve të QUINT-it, shefi i Qeverisë i vlerësoi si “të ashpra”.
Gjuha eskaloi kur u suspendua gjyqtarja Lilijana Stefanoviq, e cila mori pjesën në takimin e ftuar nga Vuçiq në Beograd.
“Një hap më afër përfshirjes së Serbisë në konflikt të armatosur me Kosovën” – e cilësoi Vulin supsendimin nga puna të Stefanoviqit.
Kundër këtij vendimi të autoriteteve kosovare dhe me kërkesën për kthimin në vend të punës të gjyqtares, u mbajtë protest nga Lista Serbe, e cila lajmëroi se është tërhequr nga të gjitha institucionet e vendit.
E të premten që shkoi, Vuçiq përmendi vrasjen e serbëve nga ana e Policisë kosovare nëse ata tentojnë të organizojnë në Kosovë zgjedhjet serbe.
Temë disa ditore gjatë kësaj jave ishte edhe deklarata e Kurtit rreth vizitës së tij në ShBA. Tash lideri i pozitës ka ndryshuar prapë muajin se kur do të udhëtojë për në Amerikë.
MAJI është koha që Kurti e ka listuar si periudha kur do të aterojë në ‘tokën e premtuar’.
Në fakt, paralajmërimi i Kurtit, nëse shprehet nëpërmjet një metafore letrare, do të mund të cilësohej si ‘asgjë e re nga fronti i udhëtimit’. Ndërrim datash e muajsh të një vizite të paralajmëruar qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, por që s’po ndodh ende.
Edhe ‘takimet e shumta’ në maj të potencuara nga Kurti mund të jenë takime në tentativë, pasi që burimet e Gazetës Nacionale nga Ambasada e ShBA-së në Pristinë i treguan se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me vizitën e kryeministrit kosovar.
Java që iku do të kujtohet edhe për shënimin e 1 vjetorit të Qeverisë Kurti, teksa ky i fundit si rrallë herë doli dy herë në intervista brenda javës për të folur për sukseset gjatë qeverisjes 365 ditore.
Droni survijues mbi qytetin e Mitrovicës ishte ndër ndodhitë më të komentuara në javën e tretë të marsit, për të cilën çështje raportoi ekskluzivisht Gazeta Nacionale. Më vonë, u kuptua që droni i ‘kapur’ nga banorët i përkiste KFOR-it.
Vdekja e Medeline Albright, ish sekretares së shtetit amerikan dhe mikes së madhe të Kosovës, shënjoi të mërkurën e 23 marsit. Shumë ngushëllim dhe përkujtime për kontributin e saj në nisjen e bombardimeve të NATO-së, të cilat rezultuan në lirinë për Kosovën dhe tërheqjen e trupave serbe e jugosllave nga territori kosovar.
E një ditë pas vdekjes së Albright, u përkujtua edhe 23 vjetori i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, të cilat përfunduan me lirin e Kosovës dhe tërheqjen e forcave ushtarako-policore serbe nga territori kosovar. Por, në përmbledhjen javore s’ka si të mos zë vend edhe ditëlindja e kryeministrit Albin Kurti, që mbushi 47 vjeç.
Krejt në fillim të javës, Nacionale raportoi për sponsorizimin e shikuesve në kohë reale në Facebook gjatë intervistës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili raportim u komentua edhe në ditët vijuese nga shumë analistë e gazetarë.
Në mes javë, përfaqësuesja e Kosovës në futboll ‘demoloi’ Burkina Fason në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Fadil Vokrri”. Rezultati përfundimtar ishte 5:0 në favor të Dardanëve.
Në fund të javës, u shënua 23 vjetori i masakrës së madhe në Krushë të Vogël, e cila u përkujtua nga krerët e shtetit. Aty kryeministri i Kosovës përjetoi një situatë jo fortë të këndshme kur u ndal nga Bahrije Hoti, familjare e dëshmorit e kusherira e filozofit dëshmor Ukshin Hotit e cila i kërkoi llogari të parit të ekzekutivit për shkarkimin nga rrjeti diplomatik kosovar.
E kryeministri Kurti i tha se do ta shikojë se çfarë ka ngjarë me çështjen e Hotit. Mbetet të shihet gjatë kësaj jave se çfarë do të ndodh me rastin e diplomates së shkarkuar.
Por në mesin e liderëve që vizituan Krushën e Vogël nuk ishte Presidentja Vjosa Osmani pasi që ajo po qëndron në një vizitë zyrtare në Doha ku po merr pjesë në Forumin e organizuar nga Katari.
Gjatë ditës së fundit të javës, në Mal të Zi u organizuan zgjdhjet lokale, teksa parti “URA” e udhëheqhur nga mandatari për qeveri, Dritan Abazoviq, fitoi qytetin e Ulqinit. Derisa sa ishte në humor të mirë nga fitorja, Abazoviq deklaroi se brenda 10 apo 15 ditëve do të votohet për kryeministër.
E diela e vonë ishte e rezervuar për çmimet OSCAR, për të cilat Nacionale ka raportuar. Drama CODA, ka fituar çmimin kryesor për filmin më të mire, por i krejt organizimi ra nën hijen e goditjes në fytyrë të Chris Rock-ut nga ana e aktorit Will Smith, pasi që ky i fundit s’e duroi dot shakanë për bashkëshorten e tij.