Zgjedhjet në veri: Nga shtet shembull për organizimin e zgjedhjeve drejt një procesi të improvizuar zgjedhor
Ka mbetur shumë pak ditë deri te mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore. Pavarësisht paralajmërimeve për bojkot të këtij procesi nga ana e komunitetit serb, institucionet qendrore janë shprehur të vendosura për organizmin e këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse KQZ-ja ka marrë hapat e nevojshëm për mbajtjen e këtij procesi më 23 prill, format e organizmit të procesit nuk po shihet si demokratike.
Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e proceseve zgjedhore kanë fajësuar institucionet qendrore për mënyrën e organizimit, duke thënë se me këtë proces vetëm po improvizohet.
Sipas tyre, legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve do të kontestohet dhe Kosova do të prishë traditën e mirë të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë.
Analisti Visar Ymeri ka bërë me dije se zgjedhjet e 23 prillit nuk do të shihen mirë as nga ndërkombëtaret.
Ai ka deklaruar se çështja e këtyre zgjedhjeve është dashur të diskutohen në Ohër, ku Kosova dhe Serbia janë dakorduar për zbatimin e planit të BE-së.
“Kjo formë e organizimit të zgjedhjeve natyrisht nuk i bën ato legjitime. Natyrisht as në syrin e ndërkombëtarëve e as më pak në sytë e shteteve të tjera jo partnere me Republikën e Kosovës. Unë konsideroj që kjo çështje është dashur të diskutohej në Ohër, në procesin e negociatave në të cilin do të duhej të merreshin vesh se si do të organizoheshin zgjedhjet ashtu siç i parasheh ligji dhe Kushtetuta”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.
Sipas tij, ky proces e ka ndikimin e vetë në procesin negociator.
“Mosmbajtja e zgjedhjeve e ka ndikimin e vet te procesi negociator. Sepse edhe nëse duam që ta përshpejtojmë procesin e themelimit të Asociacionit siç po insiston qeveria në Beograd, prapë pa zgjedhje nuk mund të bëhet”, është shprehur Ymeri.
Edhe Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve do të jetë problematik.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë këto zgjedhje nuk do të jetë as të drejta e as të lira.
“Ky proces nuk i plotëson mbase asnjë prej parakushteve për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor siç jemi mësuar të kemi në Kosovë tash e një dekadë. Mirëpo, ka qenë e ditur se ky proces do të organizohet në rrethana të tilla për shkak të dorëheqjeve. Në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta, do të plotësohen kriteret minimale ligjore, por në kuptimin përmbajtjesor dhe cilësor vlerësoj se zgjedhjet nuk do të jenë as afërisht të drejta dhe të lira siç do të duhej të ishin”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe interesimi i votuesve për këto zgjedhje do të jetë minimal.
“Është e qartë se do të këtë interes minimal nga ana e votuesve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhje, duk shërbye kështu si bazë edhe për kontestim të institucioneve te reja ta dala nga zgjedhjet. Nga ajo çfarë kemi parë është se këto kontejnerë do të vendosen pran magjistraleve në mënyrë që të jenë në zona të hapura publike, ku mund të ketë më shumë ofrim të sigurisë nga policia”, është shprehur ai.
Do të dëmtohen standardet zgjedhore
Edhe opozita e ka parë me sy skeptik organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Sekretar i PDK-së, Betim Gjoshi, i cili ka qenë edhe anëtar i KQZ-së, ka thënë se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti e kanë hedhur sovranitetin e Kosovës në kontejnerë.
“Kontejneri është pasqyrë ku mund ta shohim Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin se si e trajtojnë dhe çfarë po bëjnë me shtetin e Kosovës. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po e hedhin sovranitetin dhe Republikën e Kosovës në kontejnerë. E dhimbshme ta shohësh se ku po përfundon shteti i Kosovës me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Sot, këta dy drejtues të shtetit që në të kaluarën e tyre vetëm kanë improvizuar, e kanë kthyer shtetin e Kosovës në një Republikë të improvizimeve”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se tani standardi i Kosovës për organizimin e mirë të zgjedhjeve do të bije poshtë.
“Edhe komponentja gati më e rëndësishme e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një shtet shembull në organizimin e zgjedhjeve, po bie poshtë. Sot, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, po e çojnë KQZ-në, këtë institucion të dëshmuar për profesionalizëm, të improvizojë zgjedhje. Ky është dështimi i Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe qeverisjes së tyre, për të ofruar siguri për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Ky dështim është një tregues se kjo Qeveri nuk ka sovranitet në atë pjesë të Kosovës”, ka vlerësuar Gjoshi.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë me dije se tani institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë siguri për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Në momenti kur nuk ka kryetar të komunave, me automatizëm Kushtetuta të detyrën që brenda 45 dite më i organizu zgjedhjet. Zonja Osmani ka vendosur me i shty zgjedhjet, ajo ka marrë përgjegjësi për shtyrjen e zgjedhjeve. Dhe tani jemi në një situatë ku zgjedhjet duhet me u mbajte. Ne nuk mundemi mos me i mbajt zgjedhjet, por këto institucione kanë për detyrë me e garantuar pjesëmarrjen, me e garantu sigurinë dhe me e garantu ligjshmërinë”, ka thënë Gashi në emisionin Pressing.
Ai ka thënë se nëse komuniteti serb nuk merr pjesë në këtë proces, legjitimiteti i zgjedhje do të jetë problem.
“Zgjedhjet mund të quhen, por përfaqësimi do të jetë i dyshimtë”, ka thënë Gashi.
Më 16 prill Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote në katër komunat e Republikës së Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, se përmes makinës kërkuese të KQZ-së mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit në zgjedhjet e 23 prillit.
Ndryshe nga PDK-ja dhe LDK-ja, AAK-ja ka kërkuar që ky proces zgjedhor të shtyhet.
Prej partive shqiptarëve, në këto zgjedhje kandidatë për kryetar kanë vetëm LV-ja dhe PDK-ja.
Lista Serbe, e cila vazhdimisht i ka qeverisur këto komuna, ka bojkotuar këtë proces zgjedhor.
Javën e kaluar, KQZ-ja ka miratuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna do të jetë është 19 me gjithsej 34 vendvotime.
KQZ-ja ka treguar se prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

