Zgjedhjet në Serbi: Dy fitoret e Vuçiqit dhe dy humbjet e Kurtit - NACIONALE

Zgjedhjet në Serbi: Dy fitoret e Vuçiqit dhe dy humbjet e Kurtit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shkodran Ramadani

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill është duatrokitur gjerësisht në Kosovë dhe është parë si një fitore e madhe kundrejt Serbisë. Ky vendim erdhi 2 muaj pasi u ndalua referendumi për ndryshime gjyqësore në Serbi. Fatkeqësisht, e vërteta është që këto zgjedhje ia sollën Kosovës dy humbje serioze në rrafshin strategjik.

Humbja e parë e Kosovës

Ekzaltimi ynë kombëtar me ndalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë është paralelizuar me një shqetësim të madh ndërkombëtar. Për ndalimin e referendumit, Quinti tha se “me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi”. Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, thanë: “Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”. Këto kërkesa u refuzuan nga Republika e Kosovës.

I njëjti skenar, por me ton shumë më të ashpër, u përsërit në rastin e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit. Në deklaratën e Quintit më 23 mars Serbia vlerësohet si konstruktive dhe e gatshme për marrëveshje, kurse Kosova si shtet që duke mos mbrojtur të drejtat e pakicave, do të dëmtojë aspiratat e saj evropiane.

Dy ditë më vonë, të acaruar me Qeverinë e Kosovës, por edhe të trimëruar nga deklararat e Quintit, duke dashur t’i japin peshë brengave të ndërkombëtarëve, serbët lokalë protestuan rrugëve të Graçanicës dhe në veri të Kosovës. Edhe njëherë, Quinti i mbështeti dhe deklaroi se serbët kanë të drejtë të protestojnë.

Përveç deklaratave zyrtare të Quintit, pasuan edhe një mori analizash nga njohës të Ballkanit dhe ish-zyrtarë ndërkombëtarë me mision në Kosovë. Në një shkrim për Balkan Insight, me informata të dorës së parë, Edward P. Joseph, ashtu si Quinti, thotë se zgjedhjet dhe referendumi nuk organizohen nga Serbia, por nga OSBE-ja. Sipas tij, në fletvotime nuk figurojnë simbolet e Serbisë, por ato të OSBE-së. Poashtu, zyrtarët e OSBE-së do të ishin përgjegjës për procedurat e votimit, e jo ata të Serbisë.

Joseph ishte emëruar nga SHBA si Zëvendës Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe kishte qenë pjesë e negociatave për të arritur marrëveshjen për këtë modalitet të mbajtjeve të zgjedhjeve. Sipas tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë atë që rrallëherë e ka bërë ndonjë lider në Ballkan, apo diku tjetër: që qëllimisht të shënojë autogol. Mendim të ngjashëm me Joseph ndajnë edhe njohësit e kahmotshëm të Ballkanit dhe Kosovës, Daniel Serwer dhe Nevenka Tromp.

Kështu, humbja e parë e Kosovës është pasojë e një politikbërjeje afatshkurte, e dizajnuar vetëm për konsum të brendshëm në kurriz të vendimeve strategjike me interes afatgjatë. Ajo që në moçalin tonë nacionalist është interpretuar si mbrojtje e sovranitetit, në fakt e ka dëmtuar Kosovën dhe e ka fuqizuar Serbinë. Pra, Vuçiqi nuk fitoi vetëm nga mbajtja e zgjedheve në Serbi, por edhe nga mos-mbajtja e tyre në Kosovë.

Humbja e dytë e Kosovës

Duke u bazuar në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, shqiptarët e Luginës nuk do të kenë asnjë deputet në Kuvendin e Serbisë.

Kjo do të thotë se humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet e djeshme janë shqiptarët e Luginës, e jo serbët e Kosovës. Serbët e Kosovës humbën të drejtën e votës në Kosovë, por fituan mbështetjen dhe simpatinë e SHBA-së dhe BE-së. Përmasat e mobilizimit ndërkombëtar në favor të serbëve të Kosovës (por edhe Serbisë) nuk kanë precedent në shumë vite.

Ndërkohë, shqiptarët e Luginës humbën në zgjedhje, por nuk fituan mbështetjen dhe simpatinë e askujt. Nuk ka asnjë deklaratë të përbashkët të Kuintit. Nuk ka analiza nga ekspertët. Ata vazhdojnë të mos bien në radarin e asnjë paleje, përveç Serbisë, që ka mobilizuar çdo resurs shtetëror e parapolitik për të defaktorizuar atë që e quajmë “faktor shqiptar në Luginë”.

Këtë po e bën përmes “pasivizimit të adresave” (një eufemizëm për deportim) të shqiptarëve në Luginës. Edhe pse Komiteti i Helsinkit në një raport pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë e ka quajtur “spastrim etnik me metoda administrative”, për këtë çështje është folur fare pak. Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Serbinë në vitin 2021 e përmend vetëm njëherë dhe përveç kërkesës që Serbia “të sqarojë më mirë se çfarë po ndodhë me ‘pasivizimin e adresave’”, nuk vërehet ndonjë shqetësim i madh.

Si është e mundur të tolerohet një spastrim i tillë në heshtje? Si është e mundur që para syve të Albin Kurtit, “liderit” të vetëproklamuar të “bashkimit kombëtar,” Serbia po asgjëson shqiptarët e Luginës dhe Republika e Kosovës nuk merr asnjë masë institucionale për t’i mbrojtur ata?! Deri më tash nuk ka asnjë kërkesë zyrtare as ndaj Brukselit e Washingtonit, e as kërkesë për përfshirje të shqiptarëve të Luginës në procesin e dialogut.

Për çfarë reciprociteti flet Qeveria e Kosovës pa kërkuar respektimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në Luginë? Përgjegjësia jonë ndaj Luginës nuk mund të reduktohet në deklarata patriotike dhe donacione bamirëse. Ajo kërkon masa konkrete politike shtetërore. E këtë nuk po e bëjnë udhëheqësit tanë.

Një gabim tjetër i pafalshëm është mungesa e një nismeje për t’i bashkuar në një listë partitë politike atje. Derisa herën e kaluar lista e përbashkët ishte krijuar nën lidershipin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, këtë herë mungoi një nismë e tillë prej Shqipërisë ose Kosovës. Në këtë vakum, shqiptarët garuan me dy lista e jo me një. Ndërkohë “Partia Demokratike Shqiptare” e Ragmi Mustafës bojkotoi dhe kundërshtoi pjesëmarrjen në zgjidhje parlamentare.

Spastrimi etnik i shqiptarëve nga Lugina dhe përçarja e tyre në mungesë të lidershipit të Kosovës dhe Shqipërisë rezultoi me 13 mijë vota apo 50% më pak se në zgjedhjet e kaluara (26 mijë). Ky është një dobësim tejet i madh. Nëse Lugina mbetet pa asnjë zë në Kuvend të Serbisë, ky është një lajm i keq sepse sheshazi kjo nuk është vetëm një humbje elektorale, por edhe një disfatë kombëtare.

Në këtë kuptim, në deklaratat e Kuintit mungon aspekti më i rëndësishëm: që Kosova ka dështuar të mbrojë jo vetëm të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por edhe të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginë.

Kësisoj, Serbia ka arritur dy fitore. Fitorja e parë është mobilizimi i bashkësisë ndërkombëtare në favor të saj dhe serbëve të Kosovës. Ndërkohë, fitorja e dytë është defaktorizimi i shqiptarëve të Luginës pa më të voglën rezistencë nga Shqipëria, Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare.

Derisa ne ekzaltohemi me pamjet e serbëve që me autobusë shkojnë në Serbi për të votuar, para syve tanë dhe me miratimin tonë të heshtur Vuçiqi orkestroi një spastrim etnik kundër shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë dhe e fitoi një argument solid para bashkësisë ndërkombëtare para rinisjes së dialogut.

Disfata politike nuk duket ndryshe. Vuçiqi 2, Kurti 0.

Lajme të ngjashme