Zgjedhjet lokale, gjithçka gati: Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00 - NACIONALE

Zgjedhjet lokale, gjithçka gati: Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.

Sot është bërë edhe shpërndarja e materialit zgjedhor përfshirë nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se për çfarë materialesh bëhet fjalë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se materialet e shpërndara vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit.

Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit më 12 tetor. Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë me dije se për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime.

Sipas tij, ky numër përfshin të gjitha format e votimit: votimin në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe fletëvotimet rezervë.

Elezi ka treguar se për katër muaj KQZ-ja ka përgatitur ashtu siç duhet këtë proces.

Gjatë kësaj periudhe përgatitore katër-mujore, KQZ ka përgatitur procesin zgjedhor sipas përgjegjësive që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligji për Zgjedhjet Lokale. Në fazën e fundit përgatitore do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, të cilat fillimisht do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, që janë të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes, ky material do të shpërndahet në Qendra të Votimit”, është shprehur ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka përmendua disa nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë nga KQZ për ruajtje të integritetit zgjedhor.

Për këtë qëllim, ka thënë ai, janë vendosur e kamerave regjistruese në çdo vendvotim.

Si masë e drejtpërdrejtë e cila është ndërmarrë nga KQZ, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë Elezi.

Nder të tjera, ai ka shpjeguar mënyrën e votimit në këto zgjedhje.

Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili Kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë Elezi.

Lajme të ngjashme