Zgjedhjet lokale: Deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 320 mijë qytetarë apo 16.11% - NACIONALE

Zgjedhjet lokale: Deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 320 mijë qytetarë apo 16.11%

10 muaj më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR:

KQZ-ja ka përditësuar të dhënat në faqen e saj.

Deri në orën 13:00, kanë votuar, 326 mijë qytetarë apo 16.11%

Komunat me daljen më të madhe janë Zveçani, Zubin Potoku, Ranillugu, Mamusha e Novobërda.

---------

Deri në orën 11:00, në zgjedhjet lokale kanë votuar rreth 158 mijë qytetarë, apo 7.84%.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Ai ka thënë se procesi po zhvillohet pa probleme.

“Sipas informatave të siguruara nga komisionet komunale, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Nuk janë raportuar parregullësi që do të mund të cenonin integritetin e procesit zgjedhor. KQZ mbetet në kontakt me trupat zgjedhore në terren që çdo gjë të vazhdojë sipas ligjit”, tha Radoniqi.

“Nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qyttarëve me të drejt vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 158 mijë e 691, apo 7.84%, nga 2 milion e 25 mijë votues”, tha ai.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 kanë marrë pjesë 152 mijë votues, apo 8.22%.

“Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale të 2021, kishin votuar 152 mijë votues apo 8.22%”, tha Radoniqi.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, kritikoi mobilizimin e Listës Serbe në qendër të qytetit.

Pas dështimit fatal në zgjedhjet parlamentare, KQZ-ja ka premtuar se platforma për rezultatet është përmirësuar.

Kështu ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyrë në fuqi në vitin 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, për të cilën presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të gjitha të pajisura me pajisje për numërim. Presim që në mëngjesin e së nesërmes të nisë numërimi për asamblistë,” tha Radoniqi.

Këtë deklaratë ai e bëri pasi votoi në Pejë.

Në zgjedhjet qendrore, faqja e KQZ-së kishte rënë nga sistemi për disa orë, dhe dështoi publikimi i rezultateve.

“Janë evidente probelemet teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë. KQZ falënderon mirëkuptim të gjithë qytetarët dhe mediat!”, deklaronin aso kohe në shkurt nga KQZ-ja.

Garë interesante pritet të jetë në disa rajone, sidomos në Prishtinë. Kryeqytetit, por edhe komunat përreth, pritet të kalojnë në garë të fortë, sidomos Obiliqi, Lipjani, Fushë Kosova e Podujeva.

Prej garave më të forta pritet në Drenas, ku Ramiz Lladrovci dhe Petrit Hajdari, do të synojnë të parin e komunës.

Ngjashëm pritet edhe në Mitrovicë mes Faton Pecit e Arian Tahirit, Prizren, Kamenicë e disa komuna të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, në listat e votuesve janë të regjistruar gjithsej 2,069,098 qytetarë, përfshirë 43,933 votues jashtë Kosovës.

Në mbarë vendin do të jenë të hapura 910 qendra votimi, ku do të funksionojnë gjithsej 2,571 vendvotime të rregullta, si dhe 38 qendra me kushte dhe 54 vendvotime me kushte për raste të veçanta.

Strukturimi gjinor i votuesve:

1,063,784 burra

1,005,314 gra

Komunat me numrin më të madh të votuesve:

Prishtina – 224,053

Prizreni – 191,752

Gjakova – 124,909

Ferizaj – 125,865

Peja – 122,909

Ndërsa komunat më të vogla për nga numri i votuesve janë:

Kllokoti – 4,232

Parteshi – 4,738

Ranillugu – 4,836

Pjesëmarrja e votuesve nga diaspora është gjithashtu e konsiderueshme, me gati 44 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës. Komunat me më së shumti votues jashtë vendit janë:

Prizren (2,866)

Prishtinë (1,715)

Suharekë (3,325)

Dragash (2,776)

Viti (1,980)

Rezultatet e para priten tek pas orës 20:00, kurse do të ketë edhe disa Exit Polle të realizuara nga tri televizione në Kosovë.

Lajme të ngjashme