Dreka, darka e akomodim - Zëvendësja e Gërvallës shpenzoi 9 mijë euro në vizitën në ShBA - NACIONALE

Dreka, darka e akomodim - Zëvendësja e Gërvallës shpenzoi 9 mijë euro në vizitën në ShBA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vizita afërsisht 3 javore në Shtetete Bashkuara të Amerikës, i ka kushtuar afërsisht 9 mijë euro zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Këto shpenzime u kryen për bileta udhëtimi, akomodim, dreka e darka zyrtare dhe mëditje. Këto të dhëna për shpenzimet financiare, Kanal10 i ka siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike, për të cilën MPJD-ja nuk i ka respektuar afatet ligjore. Në vend të kësaj, kanë bërë një reagim të paparë më herët në praktikat institucionale.

Për vizitën në maj në Amerikë të kryeministrit Albin Kurti dhe një delegacioni nga Kosova, së cilës ende nuk i shihen frytet, vazhdojnë të shfaqen shifrat e shpenzimit të buxhetit të shtetit, ku vetëm zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka shpenzuar rreth 9 mijë euro.

Për bileta të udhëtimit janë paguar 1 mijë e 83 euro, kurse, për siç e kanë cilësuar nga MPJ akomodim zyrtarë jashtë vendit – kredit kartelë, zëvendësministrja Gashi ka shpenzuar nga buxheti i shtetit, 4 mijë e 264 euro. Ndërsa 2 mijë e 194 euro i mori për mëditje, derisa dreka e darka të udhëtimit në SHBA shpenzoi mbi 1 mijë euro, që në total shpenzimet kapin shifrën e 8 mijë e 970 euro.

Në total, shpenzimet e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i kushtuan buxhetit të shtetit, saktësisht 8 mijë e 970 euro.

Këto të dhëna televizioni i ka siguruar pas kërkesës më 12 korrik të këtij viti për qasje në dokumente publike, por që MPJD-ja i ka shkelur afatet ligjore për të kthyer përgjigje.

Vlen të theksohet se gjatë vizitës në SHBA, zëvëndësministrja Liza Gashi ka qenë krahu i djathtë i kryeministrit Albin Kurti, ngase pothuajse në çdo takim ka qenë pjesëmarrëse.

Duke llogaritur shpenzimet e zëvëndësministres Gashi, shpenzimet e kryeministrit së bashku e delegacionin e tij në ShBA, kapin shifren prej 45 mijë e 600 euro.

Mostransparenca i kishte kushtuar 13 mijë euro MPJ-së

Për shkak të mos-transparencës dhe plotësimit të afateve ligjore, Agjenisa për Informim dhe Privatësi e kishte dënuar MPJ-në me 13 mijë euro gjobë

Kjo gjobë ishte shqiptuar pasi kjo ministri nuk u kishte ofruar mediave qasje në shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu, bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani, për shpenzimet e tij në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të Veriut.

Me shumën prej tre mijë eurove, MPJ-ja është gjobitur për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike.

Derisa 10 mijë euro është gjobitur për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.

Megjithatë, fakti se kanë paguar dënim prej 13 mijë eurove për fshehje të informacionit nuk e pengoi ministren e jashtme kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz që të lavdërohet për transparencë.

Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Gërvalla-Schëarz se qeveria aktuale është më transparentja ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës.

"Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile", thoshte ajo.

Gërvalla më e dobëta

Në një sondazh të muajve më parë, nga lexuesit e Nacionales në Viber, ministrja Gërvalla u zgjodh si më e dobëta e ekzekutivit aktual.

Nga 1873 anëtarë sa kishin marrë pjesë në votim, mbi 1000 sosh, ose 55% e pjesëmarrësve mendonin se Gërvalla ka regjistruar punën më të keqe.

Gërvalla-Schëarz, përveç postit të ministres së jashtme, ushtron edhe atë të zëvendës-kryeministres, por që deri më tani në pak raste e ka dëshmuar se e meriton udhëheqjen e një dikasteri të tillë, e goxha të rëndësishëm për një vend si Kosova.

Huqjet në rrjetin social "Twitter", paraqitjet e dobëta televizive e takime "aksidentale" që mund të dëmtonin shtetin tonë në politikën e jashtme, qenë pikat negative të rrugëtimit të saj të deritanishëm.

Lajme të ngjashme