Zëvendësministri i Punëve të Jashtme arsyeton mungesën e njohjeve të reja
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në një intervistë ka deklaruar se Serbia ka dërguar në Strasburg, një letër kundërshtimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por sipas tij Serbia e ka humbur betejën.
Ahmeti, ka thënë se Kosova ka siguruar votat për të u bërë pjesë e KE-së.
Numri dy në Ministrinë e Jashtme ka folur edhe për dialogun dhe çështjen e njohjeve.
“Më 11 maj të vitit të kaluar Vuçiq pati thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se Kosova po aplikon në Këshillin e Evropës, pra një absurd i llojit të vet dhe ka pasur një numër ‘non paper’ të cilat janë dërguar nga Serbia në Strasburg por të cilat kanë qenë kundërpërgjigje ndaj asaj që kemi bërë ne, pra Serbia ka ndjekur hapat tonë jo anasjelltas. Mund të them me bindje të plotë që Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës dhe një fakt për këtë është fakti që opinioni ligjor tregon që ne mund të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës dhe mbështetja është aty...”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, për Kosova Press.
Ahmeti beson se Serbia u ka kërkuar më shumë se 30 shteteve çnjohjen e Kosovës, por e arsyeton mungesën e njohjeve të reja.
"Mungesa e njohjeve tashmë Kosova është një realitet normal në arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të presim njohje si akte sikurse në fillim kur e shpallëm pavarësinë, tash procesi është inkremental pra kemi zhvillime në hapa më të vegjël me shtete të cilat ende nuk na njohin dhe këtu sigurisht që gjithë e dimë që Greqia është avangarda si të themi e pesë vendeve mos njohëse me të cilën kemi thelluar dhe zgjeruar raportet jashtëzakonisht shumë”, thotë ai.
Zëvendësministri i Jashtëm gjithashtu bën të ditur se janë të interesuar që gjatë këtij viti të dyfishojnë numrin e atasheve të mbrojtjes nga shtatë sa janë aktualisht.
“Është interesimi ynë që ta rrisim numrin e atasheve të mbrojtjes, aktualisht janë shtatë dhe me ministrin Mehaj dhe kabinetin e tij, kemi punuar që këtë numër ta rrisim dhe besoj që përgjatë këtij viti do të jemi diku afër dyfishimit apo dyfishim të këtij numri”, tha Ahmeti.