Zelensky rrugës për në Uashington, do t’i drejtohet Kongresit të ShBA-së - NACIONALE

Zelensky rrugës për në Uashington, do t’i drejtohet Kongresit të ShBA-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është rrugës për në Uashington, ku të mërkurën do të takohet me homologun amerikan, Joe Biden. Ky është udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt.

Edhe Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar vizitën e presidentit ukrainas dhe ka thënë se do ta furnizojë Ukrainën me bateri raketore të tipit “Patriot”, duke e rritur në masë domethënëse aftësinë për mbrojtje ajrore të vendit të përfshirë nga lufta.

Përpos konfirmimit të vizitës së presidentit ukrainas, Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi për një pako të re të asistencës së sigurisë me vlerë të gati 2 miliardë dollarëve për Ukrainën.

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, merret vesh se Zelensky do t’i adresohet Kongresit dhe do të zhvillojë disa takime dypalëshe, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Rrugës sime për në ShBA për t’i fuqizuar qëndrueshmërinë dhe aftësitë mbrojtëse të Ukrainës”- shkroi presidenti ukrainas në Twitter.

Zelensky ka pritur rregullisht udhëheqës të huaj në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe i ka vizituar ushtarët në pjesë të ndryshme të vendit. Të martën, ai bëri një vizitë të paparalajmëruar në qytetin e vijës së frontit, Bakhmut.

Ai, gjithashtu, ka biseduar shpesh me udhëheqës të vendeve të ndryshme përmes telefonit dhe me video-lidhje – shpesh nga zyra e tij në Kiev. Sidoqoftë, vizita e paparalajmëruar më herët në ShBA e shënon herën e parë që Zelensky largohet nga vendi gjatë luftës.

Në një letër të publikuar të martën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e Partisë Demokratike, Nancy Pelosi, u bëri thirrje anëtarëve të Kongresit që të marrin pjesë në një seancë të mërkurën në mbrëmje.

“Ju lus që të jeni të pranishëm për një fokus shumë të veçantë në demokraci”- shkroi ajo, pa dhënë hollësi të mëtejme.

Sistemi raketor “Patriot", i premtuar nga Shtetet e Bashkuara, do t’i mundësojë Ukrainës që ta mbrojë infrastrukturën e vet jetike nga sulmet ruse. Zyrtarët ukrainas disa herë kanë bërë thirrje për sisteme më të fuqishme të mbrojtjes kundërajrore nga Perëndimi.

Rusia e ka vënë në shënjestër sistemin energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz në errësirë e pa ngrohje, kur temperaturat janë nën zero.

Lajme të ngjashme