Zelensky në BE: Po e luftojmë forcën më të madhe anti-evropiane të botës moderne - NACIONALE

Zelensky në BE: Po e luftojmë forcën më të madhe anti-evropiane të botës moderne

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i falënderoi të enjten Bashkimin Evropian dhe qytetarët e bllokut për ndihmën ndaj vendit të tij për t’u mbrojtur nga pushtimi rus, para se të merrte pjesë në një samit të udhëheqësve të BE-së për të kërkuar më shumë armë.

Pas sigurimit të premtimeve për tanke perëndimore në javët e fundit, zyrtarët ukrainas tash janë përqendruar në përpjekjet për të marrë raketa me rreze më të gjatë veprimi e aeroplanë luftarakë.

Megjithatë, presidenti nuk e përmendi kërkesën e Ukrainës për aeroplanë në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, që u duk se e kishte më pak për qëllim presionin ndaj politikanëve sesa sigurimin e përkrahjes nga qytetarët e rëndomtë të BE-së.

“Do të doja t’ju falënderoj ju, të gjithë ju, që e keni ndihmuar popullin tonë, qytetarët tanë të rëndomtë, njerëzit tanë të vendosur këtu, të cilët u kanë bërë thirrje udhëheqësve të tyre që ta rritin dhe ta fuqizojnë përkrahjen e tyre”- deklaroi presidenti ukrainas.

“Ne jemi duke e mbrojtur veten në fushën e betejës, ne ukrainasit, bashkë me ju”- shtoi ai, duke thënë se vendi i tij është duke luftuar kundër “forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.

Zelensky pretendoi se Ukraina do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Sipas tij, vetëm fitorja ukrainase do t’i garantojë vlerat evropiane.

Lajme të ngjashme