Zëdhënësi i KQZ-së nuk jep afat se kur pritet të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputet
Po vazhdon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputet në Qendrat Komunale të Numërimit.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, raportohet se nuk ka treguar se kur përfundon procesi, duke thënë se një gjë e tillë merr kohë.
“Sa i përket çështjes se sa merr kohë numërimi i një kutie të votimit, kjo është e lidhur direkt me pjesëmarrjen e votuesve në një vendvotim të caktuar. Dmth, vendvotimet që kanë numër më të lartë vonohen më shumë. Duke i shtuar kësaj radhe edhe faktin se për herë të parë, votuesit kanë mundur të përzgjedhin deri në 10 kandidatë, kjo merr kohë në evidentim dhe të gjithë procesin e numërimit” – ka thënë ai sipas “Klan Kosova”.
“Pra, menjëherë pasi të përfundon procesi i numërimit në QKN, është faza tjetër e procesit që do të jetë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës” – ka shtuar ai.