Zëdhënësi Gashi: Tre të arrestuar për dhunën ndaj të moshuarës në Pejë - NACIONALE

Zëdhënësi Gashi: Tre të arrestuar për dhunën ndaj të moshuarës në Pejë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se numri i të arrestuarve për rastin është tre.

“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit,” – ka thënë z. Gashi.

Ai ka bërë të ditur se tre të arrestuarit nuk ngarkohen me të njëjtat vepra.

Më herët, Prokuroria në Pejë i ka thënë Nacionales se janë dy të arrestuar – përfshirë edhe vajzën infermiere që shihet duke ushtruar dhunë ndaj gruas së moshuar.

Sipas burimeve, është arrestuar "motra kryesore, ajo që ka ushtruar dhunë dhe ajo që xhiruar."

Çka ndodhi?

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme