Zbardhet pak 'njohja në qendër' e Albin Kurtit: Të arrihet marrëveshja finale, pastaj rinegociata
Kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka raportuar në lidhje me dialogun e mbajtur në Bruksel më 18 gusht. Aty, ai duket se ka shpalosur edhe idenë për “njohjen reciproke në qendër”.
Në kuadër të kapitullit V të propozuar prej tij përfshihej “Rikonsiderimi i marrëveshjeve të mëparshme”.
“Kapitulli i V ishte rikonsiderimi i marrëveshjeve të mëparshme. Jo anulimi i tyre siç ka propaganduar pala tjetër, por shqyrtimin e asaj se cilat marrëveshje mund të tejkalohej nga pranimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve finale,” - u shpreh z. Kurti.
Një gjë e tillë hedh më shumë dritë në idenë e tij për “njohjen në qendër dhe jo në fund”. Kjo nënkupton se Kurti kërkon arritjen e një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve me Serbinë, dhe më pas rinegocimin (ose rishkimin/rikonsiderimin) e marrëveshjeve të mëparshme.
Kurti e kishte premtuar rishikimin e marrëveshjeve të arritura nga qeveritë e mëhershme në fushata zgjedhore. Edhe ky premtim, fatkeqësisht, nuk është realizuar.
“Në qendër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, është njohja reciproke e jo Asociacioni,” – kishte thënë Kurti në një mbledhje të qeverisë më 1 qershor, për ta përsëritur pastaj në shumë e shumë raste të tjera.
Megjithatë, Qeveria ka lëvizur nga premtimi i saj për rishikim të marrëveshjeve, edhe në rastin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë (2013, 2015), me Besnik Bislimin që ishte shprehur se Serbia kishte kërkuar zgjatjen e procesit përmes rishikimit.
Bislimi e kishte përdorur edhe togfjalëshin “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, çka nënkuptonte kalimin nga dialogu teknik në një dialog politik. Udhërrëfyesi kishte shmangur precedentin e rishikimit të marrëveshjeve, diçka që ishte nënkuptuar edhe nga Zv. Kryeministri.
Kjo nënkupton se "qendra" nuk ishte menduar në dimensionin hapësinor, por atë kohor, si në qeveritë paraprake.
Kjo qasje megjithatë duket se nuk është pëlqyer nga diplomati i famshëm dhe ambasadori amerikan në Serbi, Chris Hill, që kishte lavdëruar palën serbe dhe kishte kritikuar palën kosovare për qasjen në dialog më 18 gusht.

