Zarfimi i faturave: Ndërmarrjet publike dhe private s`e respektojnë kërkesën e AIP-së, rrezikojnë dënime deri në 40 mijë euro - NACIONALE

Zarfimi i faturave: Ndërmarrjet publike dhe private s`e respektojnë kërkesën e AIP-së, rrezikojnë dënime deri në 40 mijë euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndërmarrjet publike dhe private nuk e kanë respektuar kërkesën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për mbrojtjen e të dhënave personale nëpërmjet shpërndarjes së faturave. Injorimi i kësaj kërkesë, e cila nënkupton zarfimin e faturave, mund të iu kushtojë kompanive në fjalë me dënime të ashpra.

Ndonëse afati për respektimin e kësaj kërkese ka qenë 30 qershori, asnjë prej kompanive nuk ka treguar se ka marrë ndonjë hap për respektimin e kërkesës së AIP-së.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje të disa kompani për të kuptuar nëse kanë marrë ndonjë veprim në plotësimin e kësaj kërkese, por kompanitë në fjalë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Me përfundimin e afatit, Agjencia për Informim dhe Privatësi edhe njëherë ka kërkuar nga kompanitë që të respektojnë Ligji për Mbrojtjen të Dhënave Personale.

Në një komunikatë për media, AIP sërish ka kërkuar nga kompanitë në fjalë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Në zbatim të përgjegjësive të saj ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi në fund të muajit shkurt 2024, ka kërkuar nga të gjitha Ndërmarrjet Publike dhe Private ndërmarrjen e masave të sigurisë gjatë shpërndarjes së faturave tek konsumatorët (qytetarët). Afati për Ndërmarrjet Publike dhe Private që shpërndajnë fatura tek qytetarët për të vendosur faturat në zarfe për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale ka qenë 30 qershori 2024. Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre”, është thënë në njoftimin për media.

Dënimet që parashihen me ligj

Ligji për Mbrojtjen të Dhënave Personale parasheh dënime të rënda për kompanitë që shkelin privatësinë e qytetarëve të Kosovës.

Neni 105 i këtij ligji parasheh në mënyrë specifike dënimet për kompanitë që nuk e respektojnë ligjin.

Në bazë të këtij ligjit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mund të shqiptojë gjobë nga njëzet mijë deri në dyzet mijë euro.

Po ashtu, në bazë të këtij ligjit, agjencia në fjalë mund të vendosë edhe gjobë 2% deri 4% të qarkullimit të përgjithshëm vjetor të vitit financiar paraprak.

Në rast se Agjencia konstaton se ka shkelje të rëndë dhe në masë të gjerë të të dhënave personale, mund të vendosë gjobë nga njëzet mijë (20,000) € deri në dyzet mijë (40,000) €, ose në rastin e një kompanie apo ndërmarrjeje, mund të vendosë gjobë 2% deri 4% të qarkullimit të përgjithshëm vjetor të vitit financiar paraprak në përputhje me Rregulloren (EU) 2016/679 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 27 prill 2016, mbi mbrojtjen e personave fizikë, për sa i përket përpunimit të të dhënave personale dhe qarkullimit të lirë të këtyre të dhënave”, thuhet në nenin 105 ligjit.

Javë më parë, agjencia ka treguar për gazetën Nacionale se institucionet tek të cilat është dërguar kërkesa e agjencisë për ndërmarrjen e masave të përshtatshme për sigurinë e të dhënave personale janë: Kompania për Distribuim me Energji Elektrike “KEDS” sh.a, në Kosovë, Ndërmarrja Publike “Termokos” sh.a, në Prishtinë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ’”Prishtina” sh.a, në Prishtinë, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “KRU Hidroregjioni Jugor” sh.a, në Prizren, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” sh.a, në Ferizaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” sh.a, në Pejë, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” sh.a, në Prishtinë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ekoregjioni” sh.a, në Prizren, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ecohigjiena”, në Gjilan, Kompania Rajonale e Mbeturinave N.P.L “Higjiena”, në Deçan, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti”, në Mitrovicë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati”, në Gjakovë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastertia”, në Ferizaj, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”, në Pejë, Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidromorava” sh.a, në Gjilan dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, në Mitrovicë.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga KEDS, Termokos dhe KRKU Prishtina, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Deri me tani kompanitë publike dhe private shpërndarjen e faturave e bëjnë në mënyrë të hapur.

Kjo sipas agjencisë është shkelje e privatësisë së konsumatorëve.

AIP ka vlerësuar se konsumi mujor i paraqitur në faturë, indirekt mundëson, zbulimin e të dhënave financiare të familjes dhe identifikimin e shtëpive të pabanuara.

Zbulimi indirekt i këtyre informacioneve, sipas AIP-së, potencialisht rrezikon sigurinë fizike të individit dhe pronës së tyre.

Lajme të ngjashme