Ymeri: Kurti nuk ka pasur qëllim ta hapë urën e Ibrit, përveçse si temë
"Kurti nuk ka pasur qëllim ta hapë urën, përveçse si temë", me këtë deklaratë analisti Visar Ymeri e përfundoi vështrimin e tij tejet kritik ndaj synimeve të pretenduara të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për rihapjen e Urës së Ibrit.
Ai fillimisht freskoi kujtesën e qytetarëve në “Debat Plus” për rolin që ka KFOR-i, misioni paqeruajtës në Kosovë, mandati i të cilit buron nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 1244.
Ymeri theksoi se mandati i KFOR-it mbetet i fuqishëm dhe i vlefshëm, duke shtuar se "ne harrojmë që KFOR-i në Kosovë e ka mandantin më të fuqishëm. Harrojmë që KFOR-i e ka një mandat e cila është e vetmja pikë me të cilin është pajtuar e gjithë bota, e që është mandati i ardhur nga Këshilli i Sigurimit."
KFOR-i nuk është i pranishëm për të lehtësuar ndonjë marrëveshje përtej kornizës së përcaktuar, kujtoi Ymeri, ndërsa shtoi se besimi i Kurtit se një deklaratë për hapjen e urës do ta ndryshonte situatën në terren, reflekton “naivitet” nga ana e tij.
"Ai mandat është ende i vlefshëm për KFOR-in. Të mos harrojmë, KFOR-i këtu nuk është për asnjë marrëveshje tjetër përveçse me marrëveshjen e Komunovës dhe Rezolutën 1244. Unë mendoj që kryeminitri Kurti duhet me dalë më tregu qysh paska mendu ai me hapë Urën. Nëse ai ka mendu që ky e merr një vendim edhe atje ndryshon situata në teren, kjo tregon naivitet shumë të madh." - tha Ymeri.
Në një skenar më ekstrem, sipas tij, nëse Kurti do të mendonte se ura hapet pa u përballur me misionin paqeruajtës, "kjo nuk e bën vetëm naiv, e bën edhe të rrezikshëm".
"Nëse ai ka menduar që me dy a tre deklarime publike, se si urat i bashkojnë njerëzit janë ndërrojnë mendjen KFOR-it, kjo e bën edhe më naiv. Nëse ai ka menduar që ne do ta hapim urën duke u ballafaquar me KFOR-in, kjo nuk e bën vetëm naiv, e bën edhe të rrezikshëm. Pra, qysh ka mendu me e hapë Urën e Ibrit?", tha ai.
Në këtë kontekst, Ymeri tha se argumenti më i fortë mbetet se qëllimi real i Kurtit nuk ishte hapja e urës, por hapja e kësaj çështjeje si temë.
“Pra, një nga argumentet që e shoh të qëndrueshme është se Kurti nuk ka pasur qëllim ta hapë urën, përveçse si temë”.
Nga ana tjetër, analisti Imer Mushkolaj shprehu skepticizëm për hapjen e të urës aktualisht, duke sugjeruar se kjo nuk ka gjasa të ndodhë të ardhmen e afërt. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po përdor hapjen e urës së Ibrit për përfitime elektorale.
“Nuk hapet ura, nuk do të hapet. Por Kurti do ta përdor si pretekst për përfitime elektorale. S’besoj që do hapet të paktën jo shpejt sic ka thënë VV. Kurti ka thënë se ura do hapet gjatë verës, do presim ne jemi këtu nëse hapet 27 shtator. Brenda verës nuk do hapet”, tha Mushkolaj në "Debat Plus".