“Xhamadani vija-vija”: Qysh e kaloi Vjosa Osmani vizitën në Itali te arbëreshët?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka disa ditë që po qëndron në shtetin e Italisë me ftesë të arbëreshëve. Më saktësisht, zonja Osmani i kaloi ditët në regjionin e Kalabrisë, që banohet nga arbëresh të shumtë. Përveç takimeve zyrtare, që dorën në zemër qenë nën nivelin e funksionit të saj, Osmani u takua edhe me shumë bashkëkombas, që duket se pritën jashtëzakonisht mirë shefen e shtetit kosovar. Çka bëri Osmani në Kalabri të Italisë?
Këngë, valle, takime – kështu do të mund të reduktohej gjuhësisht vizita e Osmanit në Itali. Osmani pati disa lloje të takimeve, nga ato zyrtare te ato më miqësore e joprotokollare. Shefja e shtetit e dha edhe një fjalim në Universitetin e Kalabarisë, ku foli para studentëve për arritjen e Kosovës e zhvillimin demokratik të shtetit kosovar.
Megjithatë, Osmani vizitën e nisi me këngë vizitën te arbëreshit. Dy gra i kënduan një këngë patriotike Osmanit.
“Mos të harrojmë gjuhën tonë” – dëgjohet të këndojnë gratë me një zë melankolik, që disi përshkruan përpjekjen arbëreshe për mbijetesën e identitetit të tyre shqiptar.
Nga aty, zonja Osmani shkroi në lidhje me arbëreshit, të cilët i quajti shtyllë e kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Mirënjohëse për mikpritjen vëllezërve e motrave arbëreshe. Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve.” – shkroi Osmani.
Shefja e shtetit mori pjesë edhe në “Festën e Vallëve”, që sipas Osmani dëshmon ruajtjen e traditave shekullore të arbëreshëve. Pasi e kreu pjesëmarrjen në festën e lartëpërmendur, Osmani u takua me kryetaren e Provincës së Kozencës dhe me kryetarët e komunave arbëreshe, duke treguar edhe se çka bisedoi.
“Në fokus: ruajtja e mëtejmë e trashëgimisë kulturore e gjuhësore të arbëreshëve, nëpërmjet projekteve të përbashkëta, si dhe rritja e bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, arsim e bujqësi.” – shkroi Osmani.
Ndërsa, dje Osmani dha një ligjeratë në Universitetin e Kalabrisë, të cilëve u foli për demorkacinë në Kosovë.
“Kosova është një republikë shumë e re, sepse sapo ka mbushur 15 vite. Por është një fanar i vërtetë i demokracisë dhe një shembull ndriçues i ndërtimit demokratik, po ashtu edhe të shtetndërtimit.” – deklaroi Osmani para studentëve në Universitetin e Kalabrisë, duke e përmendur edhe pjesëmarrjen në Samitin e Demokracisë, një iniciativë të presidentit të ShBA-së, Joe Biden.
Tutje, Osmani e solli në vëmendje Kosovën si një mishërim i arritjeve të demorkacisë në botë, duke folur edhe rreth të drejtave e lirive të njeriut.
“Por më e rëndësishmja, çka Kosova tregon sot, gati 25 vite pas çlirimit të saj dhe më shumë se 15 vite të pavarësimit të saj, është mishërimin e madh çfarë demokracitë mund të mbërrijnë kur qëndrojnë bashkë kundër tiranive e regjimeve gjenocidale, dhe, në anën tjetër, qendrojnë për liri, për të drejtat njeriut dhe po ashtu për paqe.” – deklaroi Osmani.
Në profilin e saj, Osmani e postoi edhe një këngë të njohur shqipe, e cila u performua nga ana e arbëreshëve. “Xhamadani vija-vija” – ishte kënga që zgjodhën ta këndëojnë arbëreshët. Në korin e këndimit u bashkua edhe Osmani, e cila siç shihet nga videoja e publikuar në profilin e saj, nuk arriti t’i bëjë ballë dëshirës për këndim.
Ndërsa sot Osmani ka postuar ca fotografi, duke shkruar "Mirëmbetshi e mirupafshim!", që lë të nënkuptohet se nga sot ka përfunduar vizita e saj në Kalabri.
