Xhaferi i LDK-së: Votimi i fshehtë në Kuvend është imponim, Kushtetuesja do të jetë më e qartë
Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka bërë me dije se propozimi i VV-së për votim të fshehtë është imponim i rendit të ditës.
Ai është shprehur optimist që Gjykata Kushtetuese do të jetë më e qartë në herën e dytë për këtë çështje.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ai ka bërë me dije se lënda të cilën LDK-ja e ka dërguar në Kushtetuese ka kërkuar sqarime për këtë çështje.
“Besoj se do të jetë më e qartë Gjykata Kushtetuese, sepse tashmë e kemi çuar ndërhyrjen e votimit të fshehtë që po bëhet në Kuvendin e Kosovës, pra është një imponim në rendin e ditës, nga votimi i hapur në votim të fshehtë”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së e ka kritikua edhe deputetin Avdni Dehari për drejtimin e seancës konstituive.
“Dehari nuk është asgjë më shumë se një nga 120 deputetët e tjerë. Mosha e ka përcaktuar që ai të jetë përcaktues i seancës, por ai duhet të zbatojë një rend të ditës. Kaq e thjeshtë është situata në Kuvendin e Kosovës. Kur ti nuk je në gjendje me kalu këtë situatë, atëherë ti nuk je në gjendje as me qeverisë me vendin”, ka deklaruar ai.