"S'pajtohemi": Xhaçka thotë se barrikadat në veri nuk janë mjet proteste paqësore - NACIONALE

"S'pajtohemi": Xhaçka thotë se barrikadat në veri nuk janë mjet proteste paqësore

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka reaguar sërish për situatën e krijuar me barrikadat në veri.

Përmes një postimi në Twitter, duket se Xhaçka i ka reaguar deklaratës së përbashkët te ShBA-së dhe Be-së, ku ndër të tjera thuhej se, “asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore”.

“Na vjen keq, nuk jemi dakord! Barrikadat nuk janë mjet proteste paqësore! Nëse do të ishte kështu, atëherë do të duhej të rishikoheshin shumë nocione themelore të qytetërimit tonë për bashkëjetesën paqësore mes njerëzve, komuniteteve, partive, kombeve. Me pasoja dramatike. Nuk është një ide e mirë, fare”, ka shkruar ministrja Xhaçka.

Situata me barrikadat në Kosovë, po ashtu ka përplasur Shqipërinë dhe Serbinë, të cilat nga distanca kanë treguar qendrimet e kundërta për situatën.

Fillimisht, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, shkroi një status në të cilën theksoi se Shqipëria është me Kosovën në gjithë këtë tollovi të shkaktuar në veri, duke e fajësuar Beogradin për situatën. Ndërsa, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq reagoi duke e këshilluar Xhaçkën t’i “tregojë” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, obligimet ndërkombëtare që ka dhe duke thënë se Shqipëria me deklaratën e djeshme po e nxit për provokime të reja.

Lajme të ngjashme