“Xeni s’ka qëndrim - Jusuf, bre”: Si ndodhi përplasja e pabesueshme mes Gashit dhe Thaçit për Zajednicën? - NACIONALE

“Xeni s’ka qëndrim - Jusuf, bre”: Si ndodhi përplasja e pabesueshme mes Gashit dhe Thaçit për Zajednicën?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Është një thënie, me shumë gjasë, e vjetër sa krejt bota. Madje, autori i këtij shkrimi beson se kjo thënie doli nga goja e homosapiensit të parë, pra stër-stër-stër…-gjyshit tonë. Është fjala për fjalinë monumentale: “Për gjithçka ekziston hera e parë”. E mbrëmë, hera e parë ishte për të parë një përplasje (gojët e këqija do të thoshin "përplasje titanësh në miniaturë") mes Shkëlzen Gashit dhe Jusuf Thaçit. Çka ndodhi?

Vendi ku ndodhi kjo përplasje ishte emisioni “Pressing” në T7, diku përtej Çagllavicës. Tema e përplasjes, deri diku të ashpër, ishte Zajednica, më saktë Asociacioni, ende më saktë drafti i statutit të Asociacionit, që hala nuk është publikuar zyrtarisht.

Ajo që ishte interesante: dy ish-pushtetarët e VV-së, pra Gashi dhe Thaçi, iu drejtuan njëri-tjetrit me emrat e përveçëm d.m.th. kishte komunikim joformal. Madje, Thaçi iu drejtua Gashit me emrin përkëdhelës, Xen, ndërsa Gashi e thirri Jusuf, që, së paku një herë, u përcoll edhe me pasthirrmën “bre”, pra “Jusuf, bre!”

Në fakt, përplasja nisi, kur e mori fjalën Jusuf Thaçi, ish-zëvendësministër i MAShTI-së në kohën e Qeverisë Kurti 1. Që në hyrje të fjalës së tij, Thaçi erdhi në një përfundim. Thaçi vlerësoi se Shkëlzen Gashi nuk ka qëndrim për temën e Zajednicës, pasi, sipas Thaçit, ai veç e interpreton personalitetin e kryeministrit Kurti. Madje, Thaçi ishte i kujdesshëm në zgjedhjen e termeve, duke thënë se “Xeni mundohet me interpretu personalitetin e kryeministrit”.

“E para, Xeni (v.j. Shkelzen Gashi) nuk ka qëndrim për Zajednicën hiç. D.m.th. Xeni mundohet me e interpretu personalitetin e kryeministrit se çka do të bëjë, si do të veprojë. Kjo s’ka të bëjë kurgjo me qëndrimin politik”– deklaroi fillimisht Thaçi, transmeton Nacionale.

Që në këtë fjalë, ndërhyri Gashi, i cili rrufeshëm e me një zë të vetëvendosur ia tërhoqi vërejtjen se ai, pra Xeni, nuk bën interpretim të personalitetit, por të veprimeve të tij.

“Ja, personalitetin e tij nuk e komentoj unë. Unë veprimet e tij [i komentoj]”– ndërhyri rrufeshëm Gashi.

“Në bazë të asaj që po e flet Xeni, i bjen që në rast se këto kushte, që në fakt kryeministri i ka ndryshuar vazhdimisht, prej atyre pesë kushteve fillestare, ku përfshihej edhe pjesa e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, që s’janë përmend më kurrë prej ditës kur janë proklamu për herë të parë, i bie që nëse do të pranoheshin këto kushte, Zajednica bëhet dhe është në rregull”– deklaroi Thaçi, shkruan Nacionale.

Gashi sërish i vetëvendosur deklaroi se Asociacioni nuk bëhet.

“Po nuk bëhet, bre Jusuf” – deklaroi Gashi, duke shtuar një pyetje në drejtim të Thaçit: “E qysh duhet me ia bo kryeministri, sipas teje?”

Përgjigjen e Thaçit mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme:

Lajme të ngjashme