“Wagner”-i pretendon se e ka marrë nën kontroll pjesën lindore të Bakhmutit
Grupi rus i mercenarëve, “Wagner”, e ka marrë kontrollin e plotë të pjesës lindore të qytetit Bakhmut, tha të mërkurën themeluesi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin.
“Njësite të kompanisë private ushtarake, Wagner, e kanë marrë kontrollin e plotë të pjesës lindore të Bakhmutit. Gjithçka në lindje të Lumit Bakhmuta është tërësisht nën kontrollin e Wagnerit”- tha ai.
Të martën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi në një intervistë për televizionin CNN se trupat ruse do të kenë një udhë të hapur për të marrë nën kontroll qytete në Ukrainë, nëse e marrin kontrollin e Bakhmutit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Kjo është taktike për ne, ne kuptojmë që, pas Bakhmutit, ata do të mund të shkonin më larg”- tha presidenti ukrainas.
Beteja për Bakhmutin ka qenë më vdekjeprurësja në luftë dhe ka detyruar dhjetëra mijëra njerëz që të shpërngulen. Para luftës, qyteti i rajonit Donbas kishte rreth 70 mijë banorë.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës u tha medieve rajonale të martën se më pak se katër mijë civilë, përfshirë 38 fëmijë, ende ndodhen në qytetin e betejave të ashpra.
Instituti për Studimin e Luftës tha të martën se mbrojta ukrainase në Bakhmut është duke e detyruar Rusinë që të përfshihet në një betejë të kushtueshme për një qytet që “nuk është në mënyrë kritike shumë i rëndësishëm operacionalisht ose strategjikisht”.
