VV-së nuk i pëlqen aktgjykimi i Kushtetueses për Rashiqin, reagimi i Bashës konsiderohet problematik - NACIONALE

VV-së nuk i pëlqen aktgjykimi i Kushtetueses për Rashiqin, reagimi i Bashës konsiderohet problematik

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese dje ka nxjerr aktgjykimin në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Kushtetuesja ka vlerësuar se zgjedhja e Nenad Rashqit nënkryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar ka qenë antikushtetuese.

Aktgjykimi në fjalë ka nxitur reagime të ndryshme. Derisa shoqëria civile dhe juristët e kanë vlerësuar si të drejt, pushteti e ka kritikuar aktgjykimin.

Ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka bërë me dije se ky aktgjykim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse. E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka vlerësuar ai, duke e vazhduar kritiken e tij.

Gjykata, në Njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Qëndrimi i Bashës është kritikuar nga shoqëria civile.

Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se reagimi i Bashës është problematik.

Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk solli diçka të re, por e thelloi dhe e qartësoi logjikën e vendimit paraprak. Aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij. Në këtë kontekst, konsideroj që reagimi i Kryetarit të Kuvendit është problematik sepse e barazon moszgjedhjen me mospropozimin dhe, mbi këtë bazë, e arsyeton kalimin në short. Gjykata ka thënë të kundërtën. Deputetët serbë nuk refuzuan të propozojnë. Ata i shfrytëzuan të gjitha të drejtat e tyre duke propozuar nëntë kandidatë. Fakti që këta kandidatë nuk i morën votat e shumicës parlamentare nuk e shndërron këtë në bllokadë nga komuniteti dhe nuk e aktivizon automatikisht mekanizmin e imponimit”, ka shkruar ai

Sipas tij, Basha nuk është interpretues përfundimtar.

Edhe më shqetësuese është përpjekja e Kryetarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij si interpretues i Rregullores gjatë seancës. Ky rol është instrument për menaxhimin e procedurës në sallë, e kurrsesi imunitet nga kontrolli kushtetues. Nëse kjo logjikë do të pranohej, çdo shkelje e neneve të Kushtetutës që lidhen me Kuvendin do të mund të justifikohej thjesht si “interpretim i rregullores”, duke e zbrazur nga përmbajtja vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese”, ka vlerësuar ai.

Çka tha Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit gjatë legjislaturës së kaluar ka qenë anitkushtetuese.

Sipas aktgjykimit, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb duhet të propozohet nga shumica e deputetëve serbe.

Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.”, është thënë në aktgjykim.

Lajme të ngjashme