VV-ja po e përqesh opozitën, ‘harron’ se gatishmëria e pushtetit për të shkuar në zgjedhje “flet për paaftësi të Qeverisë”
Pushteti e ka filluar përqeshjen e opozitës, e cila nuk ka treguar gatishmëri për të shpërndarë Kuvendin dhe për të çuar vendin në zgjedhje të reja. Përveç deputetëve të VV-së, opozitën për këtë fakt kanë filluar të tallin edhe ministrat e Qeverisë Kurti.
Dje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka postuar një video tallëse për opozitën. Aty janë nxjerr deklarata të ndryshme të deputetëve dhe të liderëve opozitarë të cilët flasin për gatishmërinë për zgjedhje të reja.
Por, njohësit e proceseve politike kanë bërë me dije se pozita nuk është në pozitë për të përqeshur opozitën.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se gatishmëria e një pushteti për të shkua në zgjedhje flet mosefikasitet të Qeverisë.
“Gatishmëria e pushtetit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së kuvendit, veçanërisht kur qeveria ka shumicën parlamentare, nuk duhet të shihet si një mundësi për të përqeshur opozitën, edhe pse shumë eksponentë të qeverisë aktuale kanë filluar ta bëjnë këtë. Në të vërtetë, është e kundërta”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, gatishmëria e këtij pushteti për të shkuar në zgjedhje flet për një përçarje brenda shumicës.
“Kjo situatë dhe gatishmëri për të shkuar në zgjedhje kur ke shumicën parlamentare është tregues i përçarjeve brenda shumicës dhe paaftësisë së tyre të shpeshtë për të krijuar kuorumin në kuvend. Kjo shpërfaq sfidat dhe problemet që kanë në përmbushjen e agjendës legjislative, përfshirë ligje të rëndësishme si ato për kodin civil, arsimin, dhe çështje të tjera që kërkojnë konsensus dhe votë të nevojshme me 2/3”. Në këtë kontekst, më shumë se sa të përqeshin opozitën, kjo gatishmëri shpërfaq problemet dhe paaftësinë e qeverisë për të qeverisur në mënyrë efikase”, ka shkruar Kryeziu.
Çka po thotë pushteti për opozitën?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se opozita për tri vite ka kërkuar zgjedhje të reja.
Sipas saj, pas gatishmërisë së Kurtit për zgjedhje, opozita është tërhequr.
“Për më shumë se 3 vjet opozita thoshte zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje. Pastaj, ditë më parë doli Kryeministri dhe u tha jemi të gatshëm për zgjedhje. Pastaj po e dini të gjithë çka ndodhi…”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook”, ku ka shpërndarë edhe videon me deklarata të zyrtarëve opozitarë.
Ndaj videos së Haxhiut ka reaguar nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka thënë se në pamundësi për të prezantuar ndonjë sukses në fushën e drejtësisë, ajo merret me video.
“Prapë me video? Prapë për të gjithë? Edhe për ata me të cilët darkuat? Pasi i dështoi nisma shefit të saj për ta instrumentalizuar tërë opozitën, Albulena Haxhiu e skandaleve me djegien e Instititutit të Mjekësisë Ligjore, minstrja e vetingut të dështuar sërish e paska nis fushatë me video kundër opozitës. Albulena Haxhiu në pamundësi të shkruajë e flasë për ndonjë sukses të Qeverisë, ajo prodhon video pasi i dështoi partia të çojë vendin në zgjedhje duke u viktimizuar”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka vlerësuar se prodhimi i videove nuk ua mbulon dështimet Qeverisë Kurti.
“Me mashtrime, me gënjeshtra, me propagandë e keni marrë pushtetin. Mirëpo, qytetarët po kërkojnë llogari dhe projekte, e premtimet që i keni dhënë. Pranoni që keni dështu sepse tashmë kjo është fakt. Dorëhiquni!”, ka shkruar Bajrami.
Kjo nuk është hera e parë që pushteti nxjerr video përçmuese ndaj opozitës.
Në këtë mandat, partia në pushtet disa herë ka nxjerr video që kanë pasur për qëllime kritiken ndaj opozitës.