VV-ja nuk i përmirëson sjelljet ndaj LDK-së: As një muaj nuk iu zgjat koalicioni në Mitrovicë
Sjelljet e VV-së ndaj LDK-së në bashkëqeverisje nuk po përmirësohen. Këtë e ka dëshmuar edhe koalicioni për qeverisje lokale në Mitrovicë, i cili është prishur ende pa filluar mirë. Kjo për shkak të veprimeve të njëanshme të kryetari Faton Peci.
Koalicioni në mes këtyre dy subjekteve për Mitrovicë nuk ka zgjatur as një muaj.
Ky koalicion, i cili është lidhur më 12 janar, është prishur sot.
Dega e LDK-së në Mitrovicë sot ka njoftuar se prishja e koalicionit ka ardhur pas veprimeve të njëanshme të kryetarit Peci.
Përmes një deklarate publike, kjo degë ka treguar se veprimet e Pecit kanë qenë në kundërshtim me dakoridmet paraprake.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës. Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë”, është thënë në deklaratën e degës së LDK-së në Mitrovicë.
Më tej, është sqaruar se vendimi për dalje nga koalicioni është obligativ për të gjithë zyrtarët e LDK-së.
“Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë. Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, është thënë në deklaratën e LDK-së.
Kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, duket se nuk i kanë mjaftuar vetëm veprimet e njëanshme.
pas prishje së koalicioni, ai ka dalë me një status fyes ndaj LDK-së.
Duke përmendur përqindjen që kjo parti ka fituar në këtë komunë, Peci ka thënë se me 3 për qind nuk punon as “iPhone”.
“Me 3% nuk punon as iPhone –i”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ky koalicion ishte arritur më 12 janar. Vetëm pas kësaj ujdie ishte mbledhur Kuvendi Komunal ku Kryesuesit i Kuvendit të Komunës ishte zgjedhur Safet Kamberi nga LDK.
Në këtë mbledhje ishin shqyrtuar pikat e rendit të ditës: procesverbali nga mbledhja e kaluar, propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Komunitete.