VV-ja mbron edhe shefin e KEK-ut: PDK e LDK distancoheshin nga njerëzit e tyre të dyshuar për korrupsion
Rasti i arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka sjell një standard të ri të sjelljes së politikes ndaj rasteve që dyshohen për korrupsion. Në vend se procesi t`i lihet në dorë organeve të drejtësisë, Qeveria ka marrë rolin e avokatit të Krasniqit, duke sulmuar ashpër prokurorinë për arrestimin e ish-zyrtarit të VV-së.
Asnjëherë deri me tani nuk ka ndodhur që në mënyrë kaq të hapur kryeministri, ministrat dhe deputetët e partisë në pushtet të dalin në mbrojtje të një zyrtari, i cili dyshohet për tri vepra penale.
Qeveritë e kaluar, të cilat VV-ja i kishte akuzuar vazhdimisht për korrupsion e ndikime në drejtësi, nuk kishin vepruar në këtë mënyrë.
Në raport me aferat korruptimeve, qeveritë e kaluara, që përbeheshin kryesisht nga PDK-ja dhe LDK-ja, të paktën distancoheshin publikisht dhe nuk i merrnin në mbrojtje zyrtarët e dyshuar për korrupsion.
Një gjë e tillë dje është përmendur edhe në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, e cila ishte thirrur nga opozita për të diskutuar për arrestimin e Nagip Krasniqit dhe mbrojtjen që atij po i bën Qeveria.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka treguar se si qeveritë e kaluar vepronin ndryshe kur zyrtarët e tyre akuzoheshin për korrupsion.
“Lëreni Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor të marrin vendime në bazë të ligjeve dhe kushtetutës. Ju pëlqen, nuk na pëlqen. Ka pasur raste në mandatet e kaluara ku janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje ministra për akuza edhe të pakonfirmuara. Ministrja dhe zëvendësministra që kanë qenë që kanë qenë në krye te ushtrisë së lavdishme çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka dal asnjë kryeministër dhe asnjë ministër i drejtësisë të flet me atë gjuhë dhe të tentoj të bëj një puq të tillë”, ka thënë Reçica.
Ai ka përmendur rastin e aferës “Pronto” ku ishin përfshirë dy ish-shefa të grupit parlamentar të PDK-së, të cilët nuk ishin mbrojtur nga qeveria e PDK-së.
Ai ka thënë se qeveria aktuale duhet t`i marrë gjerat e mira të qeverive të kaluar.
“Ka edhe shumë raste tjera. Dy ish-shefa të grupit parlamentar të PDK-së kanë dhënë dorëheqje për shkak të një akuze të pa bazë, për shkak të bisedave telefonike. Nuk ka ndërhyrë asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë kryeministër të adresoj kritika dhe goditje kundër organeve të prokurorisë dhe gjyqësorit. Duhet të mësoni dhe duhet t` merrni ato gjera që janë të mira”, ka thënë Reçica.
Distancimi i PDK-së nga afera “Pronto”
Një nga aferat më të njohura korruptive dhe me mediatike në vend ka qenë afera “Pronto”, në të cilët zyrtarët e lartë të PDK-së dëgjoheshin në biseda telefonik duke folur për akomodimin e zyrtarëve të kësaj partive nëpër pozita të larta publike.
Pas publikimit në media të këtyre përgjimeve, prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj disa zyrtarëve të lartë të PDK-së.
Në mesin e tyre ishin ish-shefat e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Gravovci e Zenun Pajaziti, dhe ish-ministri Besim Beqaj.
Mirëpo, me tu ngritur aktakuza, udhëheqësit e PDK-së nuk ishin marrë në mbrojtje të akuzuarit.
Ish-lideri PDK-së, Kadri Veseli, kishte thënë se për rastin duhet ta jap fljalën drejtësia.
“Ne presim që aktakuza të shkojë deri në fund. Gjyqtarët dhe prokurorët e kanë përkrahjen tonë. Ne nuk kemi tendenca për ndikim. Partitë tjera kishin bërë edhe më keq. Unë ndërhyjë fare në punët e gjyqësisë. Nuk është mirë që disa të jenë më katolikë se Papa. Shkoni e shihni se çfarë kanë bërë partitë tjera, nëpër komuna e nëpër institucione qendrore”, kishte thënë Veseli në prill të vitit 2018.
Në fund të vitit 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit.
As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kishte marrë në mbrojtje ish-deputetin e saj, Naser Osmani, i cili ishte akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “FAN”. Pas ngritjes se aktakuzës, ai kishte bërë me dije se do të largohet nga politika.
VV-ja nuk i besonte deklarimeve të PDK-së dhe LDK-së. Sipas partisë së Albin Kurtit, distancimi i këtyre partive nga zyrtarët e tyre të dyshuar për korrupsion kishte të bënte me ndikimin që PDK-ja dhe LDK-ja kishte në sistemin e drejtësisë.
Mbrojtja e Nagip Krasniqit nga Qeveria Kurti
Një ditë pas arrestimit të Nagip Krasniqit, kryeministri Albin Kurti është hedhur në mbrojtje të tij dhe në sulm të prokurorisë. Në adresimin e tij para deputetëve, javën e kaluar, ai ka thënë se opozita i është gëzuar arrestimit të drejtorit të kësaj korporate.
“Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Kurti ka mbrojtur punën e Krasniqit, duke thënë se korporatës i ka sjell qindra miliona euro.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, ka thënë Kurti.
I njëjti zell nga ministrat e Qeverisë Kurti dhe deputetët e VV-së është përsëritur dje gjatë seancës.
Nagip Krasniqi është arrestuar javën e kaluar dhe me pas gjykata ia ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Krasniqi dyshohet për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit dhe veprën penale ‘konflikti i interesit.


