VV-ja kundër mocioneve të opozitës për kërkesat e minatorëve dhe policisë, opozita e lëshon sallën
Deputetët e VV-së sërish kanë dalë kundër kërkesave të minatorëve të Trepçës dhe Njësisë Speciale Intervenuese. Ata sot kanë refuzuar mocionet e partive opozitare që këto dy çështje të hyjnë në rend të ditës në seancën e sotme parlamentare.
Debat parlamentar dhe rezolutë për minatorët e Trepçës, të cilët kanë hyrë në grevë që 10 ditë, është kërkuar nga shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, por nuk është përkrahur nga VV-ja.
“86 deputetë kanë votuar 33 përkrahën, 36 e kundërshtuan 7 abstenuan, kështu që nuk kalon mocioni i propozuar nga deputeti Abelard Tahiri” – ka thënë kryetari Glauk Konjufca.
Më pas, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka propozuar debat për mbështetjen e kërkesave të polisië, por as ky mocion nuk ka kaluar.
“34 e mbështeten, 50 abstenuna, kunder asnjë, nuk kalon ky mocion” – ka thënë kryetari Konjufca.
Deputet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë thënë se këto çështje janë urgjente dhe duhet të futet në rend të ditës.
Shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kërkesat e minatorëve janë jetike.
“Kemi procedu për një debat me një rezolutë, e cila i përkrah kërkesat e minatorëve të Trepçës. Tash e 10 ditë minatorët e Trepçës janë në grevë dhe ne për 10 dite nuk kemi dashtë me e sjell në Kuvend me politizu këtë çështje, sepse i kemi dhënë kohë qeverisë që tët zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se rezolutën e kanë gati.
“Sot, duke pas parasysh që edhe rregullorja e lejon që të trajtohen çështjet urgjent. Pra të plotësohet dhe ndryshohet rendi i ditës. Ne rezolutën veç e kemi procedua dhe kërkojmë që sot të hyj si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një rezolute me të cilën Parlamenti i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, ka thënë Tahiri.
Pro kësaj kërkese ka dalë edhe Shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi.
“Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se është me interes të jashtëzakonshëm që në mënyrë urgjente të trajtohet çështja e minatorëve të Trepçës, të cilët ka më shumë se një javë që janë në grevë dhe jeta e shëndeti i tyre po rrezikohet. Mendoj se është me rëndësi që Kuvendi ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë, e cila i kërkon Qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohet. Sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat kanë me i marrë në fund të muajit”, ka thënë Gashi.
Kjo kërkesë është përkrahur edhe nga AAK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik tahiti, ka kërkuar që në rend të ditës të futet edhe debati për kërkesat e Policisë së Kosovës, të cilët kanë protestuar dje.
“Grupi Parlament i AAK e mbështet dhe është urgjente të trajtohet çështja e minatorëve. Dhe është e rëndësishme të trajtohen me urgjencë edhe çështja e policisë. Nëse vazhdon ky zinxhir i këtyre protestave, atëherë do të jetë shumë problem”, ka thënë Tahiri.
Kërkesa e AAK-së po ashtu është përkrahur nga dy partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK-ja.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka kundërshtuar mocionin e opozitës.
Sipas saj, pushteti ka bërë përpjekeje për të ndalur grevën e minatorëve.
“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë janë bërë. Shto këtu faktin, që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare Trepça që nuk ka këshill grevist, nuk është në përputhje me ligjin për greva”, ka thënë ajo.
Pasi pushteti nuk përkrahi kërkesat e tyre, tri partitë opozitare kanë lëshuar sallën e Kuvendit.