VV-ja kërkon hapjen e Urës së Ibrit, Uglanin ia lë në dorë qeverisë: BE-ja kërkon zgjidhje në dialog
Temë kryesore e diskutimit në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, ka qenë hapja e Urës së Ibrit.
Përfaqësues të VV-së në Kuvend kanë kërkuar hapjen e Urës së Ibrit.
Sipas asamblistes së VV-së Aida Ferati-Doli, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.
"Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje", tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.
Për hapjen e urës është shprehur edhe zv/kryesuesi i Kuvendit Komunal, Skënder Sadiku.
Sadiku ka theksuar se Kuvendi Komunal “ka shprehur një vullnet të lirë që definitivisht të hapet qyteti për të gjithë”.
Ai ka thënë se edhe përfaqësuesit serbë dëshirojnë hapjen e urës.
“Sikur të isha në Amerikë do të thosha ‘no comment’. Unë si qytetar, si iniciativë qytetare, edhe një koleg serb që ka qenë këtu ka thënë nuk jam kundër hapjes urës, por jam për kohën ta gjeni një kohë më të volitshme. Ura e parë historikisht është ndërtuar nga osmanlitë, urën e dytë e kanë ndërtuar gjermanët, këtë urë sot e kanë ndërtuar francezët, komuniteti serb ka bë roje unë, ne kemi bërë laura aty e mbyllim, e hapim. Kjo urë duhet të jetë simbol që i bashkon qytetet, që i largon ndarjet dhe të trajtohet si çdo urë në botë”, ka thënë ai para mediave.
Megjithatë, kryesuesi i Kuvendit, Nexhat Uglanin, këtë temë ia ka lënë në dorë Qeverisë së Kosovës.
Ai para mediave ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje nga ministritë përkatëse që kur në prill 2023 u mor vendimi në Kuvendin e Komunës që të hapej ajo urë për qarkullimin e automjeteve.
“Prej Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kemi marrë asnjë letër, as nga Ministria e Pushtetit Lokal. Në problemin e hapjes së urës është bashkësia ndërkombëtare sepse është prezent në urë. Janë kompetenca të MPB dhe Qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por ne nuk mundemi si Kuvend dhe nuk kemi të drejtë t’i bisedojmë këto çështje pasi e kemi sjellë vendimin, hapat konkretë duhet t’i marrë Qeveria”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se Kuvendi e ka kryer detyrën e vet.
Pikërisht sot ka pasur një tjetër deklaratë nga Bashkimi Evropian, se hapja e Urës së Ibrit është temë që duhet të zgjidhet në dialog.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka komentuar se Brukseli ka parë mjaft kriza e njëkohësisht, sipas tij, shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkllëzimit.
“Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE: nga viti 2015 dhe viti 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim. Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së.
Peter Stano në këtë rrafsh përsëriti porosinë e rregullt, së është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Pra, të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet duhet të zbatohen pa vonesa. E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjen për urën si dhe marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Sepse të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar që po ndërmerren, ato po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, porositi Stano.
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.