VV-ja e PDK-ja paguan mijëra euro për sondazhe: Çka na tregon raporti financiar i KQZ-së?
Sot Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar raportet financiare të partive politike të Kosovës. Nga ky raport, kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Albin Kurti, është partia më e pasur në Kosovës, pas saj radhihet PDK-ja e LDK-ja. Ndërsa partia Guxo, që është po ashtu në pushtet, nuk ka paraqitur asnjë pasuri. Çfarë na tregon raporti financia i paudituar i KQZ-së?
Sipas raportit të KQZ-së, LVV-ja, që është partia elektoralisht më e madhe në Kosovë, del të jetë gjithastu edhe partia më e pasur në Kosovë. Në raportin e saj financiar, VV-ja ka deklaruar 2 milionë e 98 mijë euro të hyra për vitin 2023, ndërsa shpenzimet e VV-së për vitin 2023, kanë qenë mbi 1 milion euro.
Në deklarimin e VV-së vërehet edhe një gjë interesante. Shumë deputetë të kësaj partie kanë dhuruar para në formë të donacioneve për VV-në, ku prijnë deputetët Tinka Kurti, Enver Dugolli, Jahja Kokaj e Sali Zyba. Në fund, VV-ja mori mbi dhjetra mijëra euro donacione nga deputetët, anëtarët e aktivistët e saj.
Po ashtu, gjithnjë sipas raportit financiar, VV-ja ka paguar 5.664 euro për matje të opinionit publik, të cilën matje e kreu kompania e njohur “Ubo Consulting”.
Pas VV-së, për nga pasuria renditet PDK-ja, që është partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës. PDK, që është partia e dytë sa i përket të hyrave financiare, ka paraqitur të hyra mbi 800 mijë euro të hyra, ndërsa sa i përket shpenzimeve, PDK ka renditur mbi 400 mijë euro shpenzime.
Njëjtë sikurse VV-ja, edhe PDK-ja ka paguar mijëra euro për një sondazh të realizuar nga “Ubo Consulting”. Më saktë, PDK-ja ka paguar 7.365 euro për sondazhin e kryer nga kjo kompani.
Në raportin që KQZ, që është i ende i pa audituar, LDK figuron si partia e tretë sa i përket financave, me 723 mijë e 169 euro. Ndërsa LDK-ja ka pasur goxha shpenzime, por prapë më pak se VV-ja e PDK-ja. Shpenzimet e LDK-së për vitin 2023, kanë qenë 268 mijë e 16 euro.
Për dallim nga VV-ja e PDK-ja, LDK-ja nuk ka renditur ndonjë shpenzim për sondazhe, ndonëse ka paguar mbi 11 mijë euro për marketing e mbi 10 mijë euro për naftë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në vitin 2023 kishte vetëm 280 mijë euro të hyra, kurse partia e Ramush Haradinajt ka deklaruar 268 mijë e 16 euro si të shpenzuara.
Ajo që bie në sy është raporti financiar i Listës Guxo, që është nënshkruar nga Faton Peci, njëri nga kryetarët e kësaj partie. Në raportin e saj financiar, Guxo nuk ka deklaruar asnjë të hyrë financiare. Guxo nuk ka deklaruar asnjë kompesim, pagë dhe shpenzime të transportit.
Po ashtu, Guxo ka raportuar zero shpenzime për blerje të mallrave e reklamave. Guxo njëjtë ka vepruar edhe me donacionet, duke deklaruar zero euro donacione.