VV-ja dhe disa zyrtarë të LDK-së e sulmojnë në mënyrë të çuditshme Përparim Ramën: Pse po i frikësohen kreut të kryeqytetit?
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mënyrë të çuditshme është bërë cak i sulmeve nga Lëvizje Vetëvendosje pas përplasjes së re brenda LDK-së.
Ndonëse i pari i kryeqytetit nuk është marrë fare me krizën e re në LDK, njerëzit e Albin Kurtit kanë pretenduar së Rama mund të ketë ambicie për kryetar të LDK-së.
Madje, kreu i kryeqytetit është sulmuar edhe nga zyrtaret e lartë të LDK-së.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, ka pretenduar për lidhje të ngushta të Ramës më njerëz të PDK-së.
Pa ofruar asnjë provë, ai ka thënë se ditën e parë të zgjedhjeve Rama ka takuar kandidatin e PDK-së për deputet, Elmi Reçica.
Sipas tij, Rama nuk i shërben LDK-së.
“Mundem me thanë që ti nuk i shërben LDK-së nëse ti të dielën në mëngjes e poston një fotografi me Ilmi Reçicën. Ditën e zgjedhjeve, ky nuk është shërbim ndaj LDK-ë, as nuk o thirrje për votim të LDK-së”, ka thënë Ferati në emisionin “Politiko”.
Ky pretendim i Ferati është demantuar keq sot nga kandidati i PDK-së për deputet, Elmi Reçica.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se pretendimi i Feratit është një shpifje.
“Me keqardhje kam përcjellë deklaratat e pavërteta dhe shpifëse të bëra nga Ilir Ferati në emisionin Politiko në Kanal 10, ku ka pretenduar se kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në ditën e zgjedhjeve ka publikuar fotografi me mua. Ky pretendim është tërësisht i rremë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt”, ka shkruar ai.
Vetëm pak kohë pasi tri degë të LDK-së kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, disa zyrtarë të lartë të VV-së kanë hedhur në sulm ndaj kryetarit të Prishtinës.
E para që i ka futur hundët në këtë çështje ka qenë koordinatorja e komiteteve në VV, Dejona Mihali.
Në profili e saj në Facebook, ajo ka pretenduar se në këtë përplasje kanë gisht kryetari i Prishtinë, Përparim Rama, dhe ai i Skenderajt, Sami Lushtaku.
“E paskan nis planin e PërpaSaMive me QUranin në qosh, me e prish nga brenda LDK. Kaq iu desh, zgjedhjet lokale, dy bllokada shtetit tash gati me ia vënë dërrmën. Avazi i vjetër. Kur LDK për të njëqindën herë bie në kurthin e njëjtë të krimit të organizuar. Futjani dhe një rend për gazin tash. Se e keni kënaq strategjinë në të gjitha anët”, ka shkruar ajo.
Më pas, kritika ndaj Ramës ka drejtuar edhe kandidati për deputet i VV-së, Ilir Kërçeli.
“Nëse Përparim Rama propozohet për kryetar të LDK-së, atëherë kemi të bëjmë me një fenomen që meriton të hyjë në librat e politikës botërore. Në zgjedhjet për kryetar, të gjithë anëtarët e LDK-së do të kenë të drejtë vote, përveç vetë kandidatit për kryetar, sepse ende nuk është anëtar i partisë që synon ta udhëheqë. Shpresoj që, pasi të zgjidhet kryetar, puna e tij e parë të jetë plotësimi i formularit të anëtarësimit në LDK”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, duke e vazhduar kritiken ndaj Ramës.
“Por pyetja që shtrohet është: për çka i duhet LDK-së një personazh si Rama? A nuk i ka vet profesorët e saj, intelektualët e saj, politikanët veteranë dhe brezin e ri të politikanëve që për vite me radhë kanë mbajtur barrën e partisë? Nëse një parti me historinë, traditën dhe strukturën e LDK-së nuk arrin ta gjejë kryetarin brenda vetes, atëherë problemi nuk është te kandidati, por te vetë partia. Kjo vetëm sa e konfirmon atë që e kam thënë gjatë fushatës: LDK-ja nuk po drejtohet më nga anëtarët e saj, por po jepet me qira. Tashmë nuk po kërkohet as që qiramarrësi të jetë pjesë e shtëpisë; mjafton t’i pëlqejë çelësi”, ka shkruar ai.