VV-ja braktisë “filmat” kundër Listës Serbe, asnjë zë për certifikimin e 25 kandidatëve të saj - NACIONALE

VV-ja braktisë “filmat” kundër Listës Serbe, asnjë zë për certifikimin e 25 kandidatëve të saj

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Sipas njoftimit të KQZ-së, ky institucion mori vendim për certifikimin e 902 kandidatëve për deputetë të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.

Por, në këtë mbledhje, dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e kanë thënë asnjë fjalë kur u prezantua rekomandimi për certifikimin e 25 kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.

Përfaqësuesit e partisë së Kurtit në KQZ, janë mjaftuar vetëm me votim kundër kësaj liste, por nuk e kanë parë të arsyeshme të shprehin ndonjë qëndrim ose të arsyetojnë veprimin e tyre.

Derisa në zgjedhjet e paraprake, zyrtarët e VV-së bënin “filma” duke treguar se pse nuk duhet të certifikohen kandidatët e Listës Serbe, kësaj radhe ata kanë zgjedhur heshtjen.

Kundërshtimi i tyre nxiste që anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në KQZ të abstenonin. Në këtë mënyrë për certifikimin e Listës Serbe vendoste Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme.

Në mbledhjen e sotme, anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në KQZ-së kanë votuar “pro” certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në fund të mbledhjes, ushtrues i detyrës së Kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka dhënë disa detaje teknike rreth kandidatëve të certifikuar.

Sa për informim sot KQZ certifikoi 902 kandidatë që përfshijnë 21 subjekte politike. Gjithashtu raporti ka edhe statistikat gjinore dhe të moshës për kandidatët. Bëhet fjalë për kandidat burra që janë 593 dhe 309 kandidate gra. Në përqindje i bije që burra janë 66%, kurse 34% janë gra”, ka thënë Buzhala.

Lajme të ngjashme