VV humbi një betejë për rastin e NPB-së: A është betejë kundër PSD-së apo çështje më komplekse? - NACIONALE

VV humbi një betejë për rastin e NPB-së: A është betejë kundër PSD-së apo çështje më komplekse?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

A e humbi përnjëmend betejën e fundit pushteti ndaj NPB-së përkundër ‘arsenalit të madh’ që përdori? Pse gjithë ky mobilizim nga ana e pushtetit, qysh humbi rasti dhe a ka tendencë politike në të?

Nëntë deputetë të Vetëvendosjes morën pjesë si spektatorë në një sallë gjyqi për një rast kontestimor ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Më 17 tetor, deputetja Tinka Kurti do të tregonte për praninë e tyre në atë sallë gjyqi ku kishte thënë se po pritej të mbroheshin 17 mijë metra katrorë pronë publike.

Paraprakisht, më 8 shtator, kryeministri Kurti do të kërkonte caktimin e masës sigurisë për këto 17 mijë metra katrorë.

“Masa e përkohshme, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë,” – shkruante kryeministri në atë kohë.

Por, tashmë është nxjerr një Aktvendim nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe e cila e refuzon si të pabazuar propozimin për masën në fjalë për të cilën fliste Kurti.

Mes arsyesh të ndryshme pse është refuzuar propozimi për masë të sigurisë thuhet se është edhe shmangia e “çdo lloj perceptimi, sipas të cilit gjykata e ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel apo nuk është e paanshme në gjykim.”

Megjithatë, kundër këtij Aktvendimi asamblistët e VV-së kanë të drejtë ankese. Në fund të këtij shkrimi do të gjeni edhe Aktvendimin e plotë.

SFOND

Deputetët që ishin të pranishëm në sallën gjyqësore më 17 tetor ishin: Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi.

Shumë prej këtyre deputetëve nuk kishin pasur të kaluar si asamblistë të Vetëvendosjes në Prishtinë, ndërsa për disa prej tyre dihet se janë nga komuna tjera të Kosovës.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh ky rast është aq i rëndësishëm politikisht për Lëvizjen Vetëvendosje.

Megjithatë, për të kishte folur edhe asistenti i Albin Kurtit, Arianit Beqiri. Ai e kishte cilësuar një gjë të tillë si “masakër financiare” të NPB-së.

“Kemi pritur që përbërja e re e Kuvendit Komunal dhe po ashtu ajo e Ekzekutivit të Prishtinës ta ndalnin këtë masakër financiare dhe pronësore të bërë nga NPB-ja që është lejuar nga aksionarët e Ekzekutivit të kaluar. Por, siç edhe shihet, jo vetëm që nuk e kanë ndërmend ta ndalin këtë aferë, por edhe janë angazhuar që pavërejtshëm t’ua përmbushin kushtet deri sa fillimi i punimeve t’i vendosë edhe organet gjyqësore para një akti të kryer,” – kishte thënë ai.

Për ata që mund të kenë harruar, Ekzekutivi i kaluar në Prishtinë udhëhiqej nga Shpend Ahmeti dhe të tjerë politikanë të cilët ishin larguar nga Vetëvendosje në fund të vitit 2017 ose fillim të vitit 2018.

Më 19 korrik ishte kryer një bastisje nga ana e Policisë së Kosovës në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë në lidhje me rastin, dhe PSD-ja kishte ngritur dyshime se partia në pushtet (VV) po përdorte politikisht policinë.

“Krimi fillon kur policia bëhet politike dhe i shkel të gjitha normat dhe dispozitat e kodit penal. Policia në çfarëdo bastisje i merr mediat me vete sepse pretendohet se do të gjenden shkeljet. Në NPB ka realizu bastisje pa media dhe pa njoftim paraprak. Prej 3 ore që qëndron aty, 55 minuta i fikin kamerat e sigurisë në kundërshtim me dispozitat e kodit penal dhe në dy katet punëtorët qëndrojnë pa praninë e persona përgjegjës. A ka shku policia me e zënë krimin apo me vendos prova?!” – kishte thënë z. Molliqaj në një reagim më datën 22 korrik të këtij viti.

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së PSD-së Dren Kukaj, në të njëjtën konferencë ishte shprehur se projekti i kontestuar ishte krejtësisht i ligjshëm.

Ai ishte shprehur se VV po merrej me ndërmarrjen NPB “vetëm se PSD ka qenë aty”.

Lajme të ngjashme