VV devijon debatin për energjinë: Nga kriza energjetike në sulme skandaloze ndaj ish-Presidentit Thaçi - NACIONALE

VV devijon debatin për energjinë: Nga kriza energjetike në sulme skandaloze ndaj ish-Presidentit Thaçi

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita për të adresuar gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë, ka devijuar tërësisht nga agjenda pas deklaratave të ashpra politike nga pushteti. Situata u tensionua kur një deputet i partisë në pushtet bëri një paralelizëm kontrovers dhe jashtëzakonisht skandaloz mes ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm, Naim Murselit.

Duke marrë fjalën në foltore, deputeti i VV-së deklaroi ndër tjera: “Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat.” – tha ai.

Kjo deklaratë ngjalli indinjatë të menjëhershme te deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputetja Vlora Çitaku e cilësoi gjuhën e përdorur si një fyerje të rëndë për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e vendit, duke kërkuar distancim të menjëhershëm nga partia në pushtet.

“S’po di qysh me të thanë se me të thënë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftu për lirinë e këtij vendi. Ju duhet të ndiheni i turpëruar. Duhet të ndiheni i turpëruar dhe Lëvizja Vetëvendosje nëse nuk mendon si ju, mu tani, ju ftoj juve si kryetare dhe shefen e Grupit që të distancohet. Duhet t’ju vij turp.” – deklaroi ajo.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila u shpreh se Kuvendi nuk duhet të tolerojë shkeljen e vlerave të luftës, duke kujtuar unitetin e treguar ditë më parë rreth një rezolute të përbashkët.

“Ky Kuvend nuk është Kuvend i Serbisë. Ky është Kuvend i Republikës së Kosovës dhe duhet të sillemi me përgjegjësi të plotë karshi deklaratave të cilat i dëgjuam sot. Çfarë dëgjuam sot, çfarë dëgjuan qytetarët e Republikës është skandaloze, dhe unë nuk besoj që Kuvendi i Republikës guxon ta tolerojë një gjë të tillë. Ditë më parë, ne jemi unifikuar rreth një rezolute të përbashkët – pozitë e opozitë. Rezolutë për të mbrojtur vlerat e UÇK-së, të cilat sot i dëgjojmë të cenuara nga një deputet i grupit tuaj parlamentar. Kjo duhet këtu të ndërpritet”, tha Deliu-Kodra.

Pas kësaj, reagoi shefja e Grupit Parlametar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Ajo foli se si qëndrimi i kësaj partie ndaj luftës së UÇK-së dihet tashmë, por nuk u distancua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gjuha e përdorur nga deputeti i grupit të tyre.

“Sot këtu në seancë u thanë shumë fjalë nga deputetët, shumë të pavërteta, por vlen të theksohet besoj ajo që është e ditur për qytetarët, qëndrimet e grupit parlamentar dhe të VV-së në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK-së, janë publike, qëndrojmë pas tyre. Lufta ka qenë e drejtë, e pastër, vlerësojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuuar për lirinë e vendit”, tha ajo.

Lajme të ngjashme