Vulin me pretendime të çuditshme: Kurti kur ishte në burg, tregoi gjithçka që dinte për UÇK-në dhe shokët e tij - NACIONALE

Vulin me pretendime të çuditshme: Kurti kur ishte në burg, tregoi gjithçka që dinte për UÇK-në dhe shokët e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politikani kontrovers serb, Aleksandër Vulin, ka dalë me një pretendim të çuditshëm në disa deklarata të fundit duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar gjithçka që dinte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për bashkëpunëtorët e tij, gjatë kohës sa ishte në burg në Serbi.

Siç citohet nga mediumi serb “Novosti”, Vulini ka akuzuar Kurtin se është frikacak dhe se urren serbët.

“Vetëm një hipokrit dhe gënjeshtar si Kurti mund ta akuzojë Serbinë se është fajtore për destabilizimin e Kosovës. Po gënjen aq sa është i frikësuar, Kurti po dëshiron ta gjejë fajtorin për dështimet me deklaratat e tij. Çfarëdo që thotë Kurti, nuk mund ta fshehë frikën dhe kompeksin e tij nga Aleksandër Vuçiq. Prapa çdo vendimi të Kurtit, është urrejtja për serbët dhe kompleksi i një burri të pasuksesshëm dhe gënjeshtar që e urren më shumë Vuçiqin se sa që e do Kosovën”, ka thënë ai.

Vulin nuk është ndalur me kaq, duke pretenduar se kryeministri Kurti kishte treguar gjithçka që di rreth bashkëpunëtorëve të tij dhe UÇK-së.

“Një gënjeshtar dhe një i dobët që në burgun serb tregoi gjithçka që di rreth bashkëpunëtorëve të tij dhe UÇK-së. Frika që ndjeu atëherë, nuk e ka lënë asnjëherë,” - u shpreh Vulin, por pa e dhënë asnjë provë mbi pretendimet e tij.

Vulin njihet për deklarata të pamatura dhe që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes në raport me Kosovën dhe shqiptarët.

Kjo deklaratë e tij ndërkaq, vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Çka ndodhi sot në veri?

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Lajme të ngjashme